Nga Arbër Zaimi
Pak ekonomi politike:
Pse po reagojnë pop-folk këngëtarët ndaj fyerjes me Bregoviç? Sepse tregu i tyre është publiku që po ofendohet. Ata paguhen prej klikimeve e shikimeve të atij publiku, dhe reklamave që marrin bazuar te ata ndjekës.
Pse po reagojnë kaq pak intelektualë publikë e opinionistë kundër së njëjtës fyerje? Sepse ata nuk i paguan publiku, dhe prej kohësh kanë hequr dorë nga vramendja se a i lexon kush. Ata paguhen nga pronarë mediash, interesi biznesor i të cilëve rrallë është kombëtar.
Pse nuk reagojnë bizneset e mëdha? Sepse këto biznese në bazën e tyre kanë importin e jo prodhimin. Dhe kryesisht importojnë produkte bazike, që deshi s’deshi publiku do i blejë, sepse s’ka alternativë. Duke mos qenë prodhues, nuk janë “borgjezi kombëtare” por “borgjezi kompradore”. Me një fjalë, nuk u hyn gjë në xhep nga kombi, dhe s’u bëhet vonë edhe nëse s’ka fare të tillë.
Kjo është derexheja ku na kanë katandisur politikanët e 30 viteve. Kjo situatë shënon një depolitizim dhe deintelektualizim të shqiptarësisë. Nëse kjo nuk ndryshon shpejt, e ardhmja do të jetë asimilim e nënshtrim.