Nga Çapajev Gjokutaj
Një pjesë e mirë e komenteve për postimin tim të djeshëm janë ngjizur në strukturën ‘pse Berisha e jo Rama? zi Berisha por katran me bojë Rama’.
Bëj pjesë në grupin e atyre që mendojnë se në katin e sipërm të politikës shqiptare s’kemi as të majtë e as të djathtë, kemi një pari që është ndarë në dy parti për të alternuar pushtetin e për të luajtur farsën e demokracisë.
Mirë a keq postimi i djeshëm synonte një mesazh tjetër: për të palarat e ujqërve të politikës, për bëma e gjëma që i kemi parë me sytë tanë, mos prisni të vijë ndonjë nga jashtë që të na tregojë gjurmët e të bëjë drejtësi.
Poqese do presim shpëtim nga jashtë, poqese nuk do rrisim trysninë qytetare dhe nuk do forcojmë institucionet amtare, jo vetëm sot por edhe mot e në vijim do jemi duke diskutuar për barin. Jo në dilemën ‘ta hamë a të mos e hamë’, por në përqeshjen proverbiale: prit gomar të mbijë bar.
Post Scriptum: Gomari është kafshë fisnike, inteligjent e punëtor si ai, me pak pretendime dhe tej mase … i duruar.
Post Scriptum 2: Autori që kthehet dhe shpjegon se çfarë ka dashur të thotë me tekstin që ka shkruar, është mjeshtër mbi mjeshtrat.