Vendosni fjalën kyçe....

Kadilli: Berisha është bërë problemi, duhet shmangur


Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli ka mendimin se tani problemi është bërë Sali Berisha dhe ai duhet shmangur.

Për ish-kryeministrin Kadilli mendon se krijoi monopol në PD, duke qenë njëkohësisht edhe forca edhe dobësia e kësaj partie.

“Berisha ka qenë forca dhe dobësia e PD. Strukturoi partinë sipas profilit të tij dhe e dominoi me fanatikët e tij sipas kalkulimeve të veta politike. E çoi majtas dhe djathtas. E hapi dhe e mbylli sipas interesit të tij politik. Krijoi mitin e tij. Dishepujt e afërt ishin ata që përfitonin, në mos shumë të paktën shikimin e tij. Dishepujt e largët, janë ata që kërkojnë një idhull, që besojnë se fitojnë kur e gjejnë. Dy herë që PD fitoi zgjedhjet ai ishte prijësi dhe si rrjedhojë dhe përfituesi më i madh. Në vite krijoi monopolin e vet në PD. Ky monopol ishte për atë me i rëndësishëm se PD.”, shkruan Kadili.

Sipas tij, edhe pas gjithë këtyre, Berisha është plotësisht i shmangshëm.

“Ashtu si çdo kush tjetër në këtë jetë. Shmanget kur ai vetë nuk e kupton që duhet të hiqet mënjanë. Shmanget, kur ai vetë nuk e kupton se nga i dëshiruar është bërë i padëshirueshëm. Shmanget, kur është bërë problemi, nga zgjidhësi i problemeve që ka qënë dikur. Shmanget, kur nga frymëzim është bërë pezmatim. Kur nga përparim është bërë prapësim. Kur nga e reja është bërë e vjetra. Shmanget, kur nga dhënës është bërë marrës. Shmanget, kur ngulmon të ruaj monopolin e tij dhe të zgjatimit të tij, kryetarit aktual mbi PD. Shmanget kur nuk lejon PD të ringrihet. ”, thekson ai.

Kadilli mendon se shmangia vjen nga bindja se PD duhet të rinovohet dhe të shkëputet nga çdo gjë që e mban peng.

“Shmangia vjen që ne si parti të plotësojmë misionin tonë. Që ne si parti të ngremë lart dinjitetin e demokratëve, dinjitetin e votuesve të djathtë, dinjitetin e njerëzve të papërfaqësuar që kërkojnë një propozim alternativ ndryshe nga ky pushtet që na sundon. Që duan të shpëtojnë nga Rama por nuk duan të kthehen pas. Pa kuptuar këtë detyrim ndaj dinjitetit të gjithë shoqërisë, kjo parti nuk ekziston. Ky është misioni i PD.

Unë e shmang lehtësisht. Kurrë nuk kam pasur adhurim për askënd. Kurrë nuk e kam falur lirinë time. Kurrë nuk kam njohur idhuj dhe autoritet. Këtë ofroj unë. Këtë nxis unë. Këtë reagim nxis tek çdo demokrat, tek çdo koleg. Si unë mendon shumica dërmuese e PD, mendon e djathta parakomuniste. Mendon shoqëria që kërkon një alternativë. ”, përfundon Kadilli.