Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekoron “Nderi i Kombit” kampionet dhe trajnerin e Kosovës në xhudo


Presidenti Ilir Meta dekoron kampionet dhe trajnerin e tyre që morën rezultatet më të larta në xhudo, në lojrat olimpike “Tokio 2020”.

Me anë të një ceremonie Meta vlerësoi sot me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dy xhudistet kampione nga Kosova, fituese të “Medaljes së Artë” në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, D’Istria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka.

Kreu i Shtetit çmoi sportisten D’Istria Krasniqi, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e Xhudos, duke treguar aftësi profesionale dhe talent të padiskutueshëm. Me mirënjohje për pasionin dhe përkushtimin e saj duke dëshmuar cilësi të rralla si sportiste e nivelit botëror, duke ngritur lart krenarinë kombëtare.” si dhe sportisten Nora Gjakovën, me motivacion: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e Xhudos. Me mirënjohje ndaj talentit dhe personalitetit të saj, që e shndërroi në një shembull frymëzimi për sportistet e reja, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.

Po ashtu, presidenti Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe personalitetin e gjithanshëm të treguar në sport, me arritjen e rezultateve të larta në sportin e Xhudos, duke fituar me sportistet e tij medaljet e arta në Lojërat Olimpike Verore të Rios 2016 dhe Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020. Me mirënjohje për punën dhe kontributin e tij në sportin e xhudos, që është kthyer në shembull frymëzimi për të rinjtë e të rejat, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.