Vendosni fjalën kyçe....

Nazarko: Polemikat mbi Bregoviçin do nxjerrin kombin më të bashkuar, banalitet të lidhësh pushimet e Grenellit me Minishengenin


Analisti Mentor Nazarko në një intervistë për rubrikën “Opinion” në News24 ka komentuar debatin e krijuar me ftesën e Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë ku mediumi shqiptar është i ndarë nëse duhet të performojë apo jo.

Nazarko thotë se kjo ndasi është nxitur nga personazhe të opinionit publik për interesa të ndryshme duke përmendur ato komercialë, spekulativë dhe kanë krijuar me dashje apo pa dashje një lloj ndarje.

Ta quajmë duel politik apo çfarë? E vërteta është që kjo lloj përplasjeje në fakt-, duke qenë fans i pluralizmit të ideve, të qasjeve,- i shërben dy pjesëve të kombit për ta njohur njëra-tjetrën më mirë. Kjo është konsiderata e parë që doja të bëja. Së dyti, mendoj që për shkak të njohjes më të mirë që vjen nga momente të tilla, atëherë do shmangen në të ardhmen ndarje të ngjashme. Natyrisht kam vënë re me shqetësim, me një lloj trishtimi faktin se ata që quhen inxhinierë të opinionit publik, po përpiqen që…me dashje apo pa dashje, për shkak të kërkimit të ‘like’-ve të shumta apo për shkak të nevojës për rreshtim, nevojës për agonizëm gati-gati sportiv, për interesa komercialë artistikë, tregtarë, spekulantë, të nxisin këtë lloj ndarjeje. Unë mendoj që nuk jemi në rrethanat e një ndarjeje pa kthim”, tha ai.

Nazarko shtoi se natyrisht ka individë politikë, individë mediatikë, ka grupe interesi që fërkojnë duart nga kjo që po ndodh, mundohen që ta përdorin për të krijuar hendeqe midis partive, midis dy pjesëve të kombit, midis elektorateve, midis ndjekësve të një portali apo një tjetri, pse jo dhe midis ndjekësve të një birre në dëm të një birre tjetër, por e vërteta është që shoqëria jonë në të dy anët e kufirit ka nevojë të piqet dhe të kuptojë se cila është domethënia e kësaj që po ndodh.

Në fillim të zhurmës, edhe për shkak të nivelit të cekët të njohjes sime për çështje artistike, për çështje muzikore,po mendoja se një nivel i lartë politik, ta zëmë kryeministri apo dikush tjetër, mund t’i thoshte Bashkisë së Korçës që ndoshta ishte e nevojshme të rishikohej kjo ftesë, me gjithë komplikimet që mund të sillte anulimi i saj. Mirpo unë jam dialektik. Në momentin e parë po reflektoja për arsyet që kanë pasur organizatorët për ta ftuar dhe po mundohem që t’i pandeh ato, cilat kanë qenë shtysat për të ftuar Bregoviç. Me gjasë për t’i dhënë festës karakter rajonal, sepse Korça është një lloj poli kulturor që po rikthehet në Ballkan; me gjasë me natyrë komerciale, që fluksit të turistëve serbë që vijnë edhe në rrugë tokësore drejt Jugut të Shqipërisë, t’iu sigurohet një ndalesë në Korçë. Pra, të futet dhe Korça në këtë hartën e turizmit rajonal. Një arsye e tretë mund të jetë nevoja për të sjellë prej Korçës një ndikim në relaksimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Një arsyeja e katërt, është që Korça të ruajë këtë flamurin e avangardës në qytetërim, jo thjesht në muzikë, por edhe në fusha të tjera. Mirëpo për shkak të intensitetit të sulmeve që e goditën këtë iniciativë, fillova që të isha i matur dhe po prisja provat që tregonin se vërtetë Bregoviç ishte dikush që ishte njollosur, një intelektual i cili e përfaqësonte regjimin e Milosheviçit apo kriminelët e luftës. E vërteta është që këto prova janë shumë të dobëta. Sa për shembull, për inteligjencën akute të Berat Buzhalës është një provë jo dhe aq e ndritshmë,, tuiteri kur thotë: ja një lajm i keq për mbështetësit e ardhjes së Bregoviç në Korçë! Bregoviç paska marrë pjesë në një koncert kundër NATO-s në Greqi në ‘99. Kjo më duket pak zvogëluese për inteligjencën e atyre që arkitektojnë apo inxhinierojnë një gjë të tillë: ne nuk mund të presim, -megjithëse ishte e vetmja provë e fuqishme kundër Bregoviç-, që Bregoviç të reagonte me shumë simpati dërgimin e bombave të NATO-s edhe mbi shtëpinë e vet. Mendoj që është një budallallëk që t’ja kërkoje atij atëherë atë gjë. Megjithëse fakti që në kohën e dashurisë greko-serbe në 1999- sot koha është më ndryshe-, të prisje që publiku i muzikës së tij të klithte kundër NATO-s. Me pak fjalë zgjodha këtë shembull për të thënë që provat që do ta njollosnin këtë artist nga pikëpamja e shoviznimit apo racizmit, nuk ekzistojnë ose janë shumë të dobëta”-tha ai.

Sipas Nazarkos, mungesën e provave e kanë ilustruar dhe vetë gazetarë kosovarë të cilët janë njohës më të mirë të vetë Bregoviç, muzikës së tij, të raportit të tij me regjimin, etj.

Mirpo jam i prirur ta shoh pozitivisht këtë që po ndodh:-nga kjo që ndodh shoqëria jonë e njeh më mirë njëra-tjetrën. Polemikat rreth Bregoviçit janë polemika që kanë selitur kopshtin tonë të pluralizmit të ideve dhe të qasjeve. Unë mendoj që nuk do krijohet ajo ndarja e madhe pa kthim të cilën natyrisht ka dhe qarqe politike, mund të ketë dhe shtete që investohen për ta krijuar këtë ndarje midis dy pjesëve të kombit. Natyrisht shpesh herë motivet kulturore mund të bëhen motive ndarjeje shoqërore apo ndarjeje kombëtare, por nuk besoj se ky është rasti. Në gjykimin tim, në përzgjedhjen e Bregoviçit mund të ishte reflektuar pak më gjatë. Me gjasë është përzgjedhur ai sepse ai është një figurë që reflekton shkallën e njohjes që ka shoqëria jonë, brezi i mesëm e sipër për muzikën serbe. Me gjasë rinia jonë nuk i njeh reperët serbë, nuk e njeh muzikën moderne serbe, brezi i mesëm njeh këtë lloj muzike. Bregoviç është një figurë i cili për shkak të jetës që ka bërë, për shkak të origjinës së tij etnike, me baba kroat, me nënë serbe, me grua myslimane, është një figurë me muzikë të kombinuar- thoshte Migjen Kelmendi,- imagjino që ka kënduar dhe në shqip. Ai shpreh nga pak atë përzierjen kulturore apo identitetin e mikstuar kulturor të atij shteti që ishte Jugosllavia. Unë mendoj që është një provokim kulturor ajo që ka ndodhur me identifikimin e zgjedhjen e tij për ta ftuar në festën e Birrës.

Provokim politik? Një nga vëllezërit Prifti thoshte që me gjasë është Rama mbrapa kësaj gjëje… Mund të jetë e vërtetë, sepse prapa kësaj inisiative a përzgjedhjeje, ka një shtysë politike, ashtu si është politik frymëzimi që vjen nga disa influencerë të lidhur me njerin krah politik në Kosovë, e që pastaj rezonojnë apo amplifikohen, qoftë për shkak të përfshirjes së artistëve tanë dhe të Kosovës, qoftë dhe një lloj mjedisi favorizues social në Kosovë për kësi lloj idesh ndarëse. Unë nuk e mohoj se gjithçka që po ndodh,- edhe polemika përfshirë -mund të sjellë si një lloj dimensioni të vullnetshëm a të pavullnetshëm një lloj relaksimi në mënyrën se si dy popujt apo dy kombet e shohin njëri-tjetrin, por unë nuk besoj që do të krijohet kjo ndarje midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në një moment të parë u duk se kundër ardhjes, apo kundër këndimit të Bregoviç në Korçë u rreshtuan shumë zëra të shquar, ndërkohë që në pjesën tonë, në pjesën e Shqipërisë kishte shumë pak zëra ose aspak”, u shpreh ai.

Nazarko shtoi se “edhe zërat e arsyeshëm apo kritikë me Bregoviçin, apo Ramën, nuk kanë theksuar askush probleme të Bregoviç me kombin shqiptar. Edhe Migjen Kelmendi në një shkrim të vetin, shumë të bukur në 2006, kur Bregoviç dha koncertin e parë në Tiranë, nuk flet për prova të prekshme. Ai thjesht supozon se një njeri i tillë bashkë me Kusturicën ishte i mbështetur fuqishëm nga Miloshevici që i lejonte xhirimin e filmit Underground në Beograd, etj. Mirpo në atë shkrim sugjestiv merrej përsipër të rrëzohej me një të rënë të lapsit, dhe Kadareja me tezën e identitetit europian, edhe Rama, edhe Enver Hoxha. Sipas Kelmendit, Bregoviçi, ja arriti të shpërfaqte përbërësen orientale të identitetit tonë, madje tërë identitetin tonë oriental, duke rrëzuar sipas tij tezën e Kadaresë! Ngatërrohej pjesa me të tërën, por kjo është temë e gjerë”.

Nazarko më tej tha se ka një përpjekje teorike për të lidhur ftesën e Bregoviç me iniciativën Open Balkan.

Mirëpo ai tha se është banalitet të lidhësh pushimet në jug të Grenellit, Minishengenin dhe pronarin e Birrës Korça dike i cilësuar si fyerje të inteligjencës njerëzore.

Nazakro mendon se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë nevojë për një relaksim.

A mund të vendoset lidhje midis ftesës së Bregoviç dhe iniciativës Balkan Open? Po, ka përpjekje teorike për t’i lidhur, mirpo ne nuk humbim as nga përplasja e ideve që nxiten nga këto përpjekje teorike, apo inxhinierike. Sigurisht nuk duhet të biem në banalitetin sado i suksesshëm është në like të vendosim lidhje midis pushimeve në Jug të Grenellit, Minishengenit të tij, pronarit të Birra Korçës, etj, etj, se këto janë fyese për inteligjencën njerëzore. Është e arsyeshme të diskutohet për një lidhje, edhe nëse ka, ndonëse unë mendoj që nuk ka. Në fund të fundit fjala kyçe që mund t’i lidhte do të ishte relaksimi i marrëdhënieve me Serbinë. A është koha për relaksimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa harruar asnjëherë borxhin që na ka?
Unë mendoj që është koha. Relaksimi i marrëdhënieve do të thotë shkëmbimet e njerëzve, shkëmbimet e biznesit, natyrisht duke llogaritur cilat janë vantazhet apo disavantazhet e kësaj hapjeje. Natyrisht Shqipëria ka nevojë për ekspertizë, lexova me kënaqësi një shkrim të Irena Beqirajt e do duhet të dëgjojmë pse jo dhe Sali Berishën i cili kishte një arsyetim të mençur në lidhje me paralelet që vendoste midis SHBA-ve, traktateve të saj të tregtisë së lirë me vendet fqinje në kohën e Trump dhe Balkan Open.
Diskutimi, debati, në një spektër kaq të gjerë tematik mund t’i shërbejë maturimit tonë si komb, afrimit të dy pjesëve, ose të dy vëllezërve, pavarësisht se ndonjëherë Shqipëria quhet nënë dhe mendoj që kushdo që përpiqet të konstruktojë ndarje në emër të interesave partikularë, të veçantë nuk do ketë sukses
”, deklaroi Nazarko.