Vendosni fjalën kyçe....

Prokurores që ndaloi Albin Kurtin, i dalin “papritur” përgjime telefonike


Prej ditësh është bërë çështje në Kosovë publikimi i dy audiopërgjimeve të prokurores Shemsie Asllani, e cila kishte ndaluar vite më parë edhe kryeministrin Albin Kurti, asokohe deputet, komentuar që e kishte kryer veprimin pa fletarresti.

“Shqip.com” publikoi audiot, për të cilat pretendon se inkriminojnë prokuroren e krimeve të rënda në Prishtinë.

Në to dëgjohet një grua duke folur me një burrë, që sipas portalit është prokurorja Asllani, ndërsa bashkëbisedon me një person që nuk identifikohet. Aq sa kuptohet nga biseda ndërmjet personit ende të paidentifikuar dhe prokurores, bëhet fjalë për një veturë të cilën telefonuesi thotë se ia kanë konfiskuar pa të drejtë, po ia mbajnë qëllimisht dhe përgjegjës e bën kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.

Sipas portalit ajo që identifikohet si Asllani, në fillim të bisedës thekson se telefonata i duket e panevojshme, por më pas i shtohet interesi, kur dëgjon disa nga informacionet që i ka telefonuesi për të.Përgjimet më pas shfaqin prokuroren Shemsie Asllani duke folur për ushtrim të ndikimit në zyrtarë të tjerë duke përfshirë edhe zyrtarë në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë “AKI”.

Në këto përgjime, personi i paidentifikuar dëgjohet duke i thënë që të ketë parë emrin e prokurores Asllani në një dosje të gjatë bashkë mefotografi të sajat. Ajo dosje, thotë personi i paidentifikuar,  është duke u përgatitur sipas tij kundër Aleksandër Lumezit (Kryeprokurorit të Kosovës) nga “disa perëndimorë”.

Por kjo seri publikimesh ka edhe një tjetër interesant, atë ku një person që e identifikojnë si Visar Duriqi, autori i emisionit “InDoks” dhe redaktor i “Insajderi.org” futet në negociata për lajme me pagesë nga “agjenti rus”.

“Pas kërkesës së lexuesve, Shqip.com publikon audio-incizimin bruto ku Visar Duriqi, autor i emisionit “InDoks” dhe redaktor në portalin Insajderi.org futet në pazar lajmesh me Halit Sahitajn, të cilin vetë ai në një dokumentar e kishte portretizuar si njeri të dyshuar që punon për shërbime sekrete ruse. Audio-incizimi u ofrohet edhe organeve në Kosovë për verifikim të autenticitetit dhe kujtdo tjetër që është i interesuar. Kjo telefonatë është realizuar në verën e vitit 2020.”, shkruan “Shqip.com”.

Për rastin ka reaguar zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu, i cili me sa duket kërkon reagim kundrejt Asllanit.

“Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë edhe integritet moral por edhe profesional dhe çfarëdo veprimi që cenon integritetin duhet të ndëshkohet.Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se vetingu në sistemin e drejtësisë nuk ka alternativë. Vetëm përmes vetingut ne mund të sigurojmë që brenda sistemit të drejtësisë do të ketë vetëm njerëz që i binden ligjit dhe jo ndikimeve e as shantazheve a kërcënimeve. Ne i bëjmë thirrje këshillave përkatës të mos qëndrojnë të heshtur por të ndërmarrin veprime në përputhje me kompetencat”, tha Sallahu, sipas “Zeri.info”.

Nuk dihet se kush është shpërndarësi misterioz i këtyre audiopërgjimeve por njëkohësisht nuk është konfirmuar ende autenticiteti i tyre.

A është bërë kjo për të dëmtuar prokuroren që dikur ndaloi Albin Kurtin?! Nga kush dhe pse tani?!