Gazetari i Report TV, Adriatik Doçi ka postuar një dokument të SPAK me firmë të Arben Krajës të dërguar për Prokurorinë e Vlorës me arsyetimin se kallëzimi penal për tjetërsimin e dyshuar të pronave në Gjirin e Kakomesë nuk përbën vepër të hetueshme nga Prokuoria e Posaçme.
Gazetari e krahason Arben Krajën me Adriatik Llallën i cili nuk heton çështje të rëndësishme të pronave por ia përcjell Prokurorisë së Rretheve.
Sipas gazetarit nëse do ishte për Prokurorinë e Vlorës do e kishte kryer hetimin për pronat në bregdetin e jugut.
Më tej ai akuzon se Luan Leka dhe Shaban memia kanë grabitur pronat në Gjirin e Kakomesë dhe kjo përbën provë për SPAK ndërsa thotë se nuk mund të fshihet pas neneve dhe burokracive.
“Arben Kraja më keq se sa Adriatik Llalla. Po saboton SPAK dhe mbron mafien e pronave. Grabitja e Gjirit të Kakomesë ishte një provë e fortë për SPAK. Arben Kraja thotë ta hetojë Prokuroria e Vlorës. Po Prokuroria e Vlorës aty e kishte dosjen ka 17 vjet. Prokuroria e Vlorës është vetë për t’u sekustruar si provë korrupsioni. Për çfarë u ngrit SPAK, për t’u fshehur pas neneve dhe burokracive? Luan Leka dhe Shaban Memia kanë grabitur pronën e trashëguar që nga koha e Pirros, ky thotë nuk ka korrupsion. Po me çfarë e futën në dorë pronën private, duke shtie fall apo dule luajtur me letra? Ky e humbi shansin për të hyrë histori. Me sa duket nuk është rastësisht komshi me Ilir Metën dhe Sali Betishën në Gjirin e Lalzit! Të paktën të lejojë kolegët të punojnë”-shkruan Doçi.