Analisti Fatos Lubonja, komentoi në rubrikën “Opinion” në “News24”, ardhjen e këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviç në festën e birrës në Korçë, si dhe nismën “Ballkani i Hapur”, mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.
Lubonja deklaroi se Rama po e përdor këngëtarin, për të krijuar debat edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që refuzoi përfshirjen në “Ballkanin e Hapur”.
“Duhet ndarë gjykimi që kemi për Ballkanin e Hapur. Është gabim apo mirë?Këtu mund të thoja që kjo nuk është tradhti, por është më keq, është gabim. Duhet bërë debati, është mirë apo gabim “Ballkan Open”. Çfarë argumentash kemi. Të ndahet nga Bregoviçi, në kuptimin se Bregoviçi, nuk është nga ata që njohim ne, përfaqësuesi i nacionalizmit serb. Ai është një figurë që konsiderohet jugonastalgjik, e këto janë pjesa më anti-nacionaliste e Jugosllavisë. Nëse na duhet paqe, bashkëpunim, ky fare mirë mund të përdoret si intelektual, që të kontaktojë me këngëtarë e intelektualë të tjerë shqiptarë për këtë frymë. Mirëpo, në vend që të ndahen gjërat ne i bashkojmë. I ka bashkuar Rama sipas meje, ai është regjia. Duke qenë Bregoviçi një figurë e tillë, ky e merr këtë figurë dhe ndikon nëpërmjet Bashkisë së Korçës që të vijë ky në koncert, për të promovuar ‘Ballkan Open’, por edhe për të diskredituar, ulur, kundërshtarët e tij politikë. Kundërshtarët e ‘Balkan Open’, duke thënë që ‘ja cilët janë këta’. E kjo është temë që ha debat”-tha Lubonja.
“Ti flet për Ballkan të hapur dhe prish Kosovën me Shqipërinë. Vetë ky konflikt kaq i ndezur tregon që s’ke përgatitur një terren paqeje të vërtetë. Deri dje ke qenë me projektin e ndryshimit të kufijve të Kosovës, indirekt e ka pranuar, që është dhe ky problem. Gabimi tjetër është pikërisht tek mbështetja që mendon ky, ‘boll të kem mbështetje amerikane, nga jashtë’, po ç’rëndësi ka se ç’thotë Albin Kurti. Janë primitivë, unë kam mbështetje’. Por përsëri është gabim, ju thashë rastin e Afganistanit. Politikisht duhet ta mendosh drejt, e dyta ata mund të gabojnë. A qëndron apo nuk qëndron kjo që bëke ekonomi të hapur, hapke ti kufijtë gjasme dhe kjo zgjidhka problemet? Jo, kjo mund t’i acarojë, siç i ka acaruar me Kosovën”, vijoi më tej Lubonja.