Ramush Haradinaj do të mbahet mend në historinë e qeverisjes së Kosovës si kryeministri i cili vendosi masën drastike 100% taksë ndaj produkteve që hynin nga Serbia.
Një vendim i vitit 2018 i cili zgjati për rreth dy vite me ardhjen e qeverisë së parë të Albin Kurtit i cili e zëvendësoi me masën e reciprocitetit.
Atëherë vendimi i Haradinajt u pa si drastik dhe ndaj tij dolën kundër të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së dhe ShBA-së në Kosovë.
Masë kjo e cila në atë u cilësua si bllokuese e marrëdhënieve me Serbinë por edhe e rrugës integruese të Kosovës në BE.
Një taksë e cila sjell edhe historinë e shprehjes të zbuluar sot për publikun “s’po ma han Luli për ty”.
Shprehja e cila sipas Ramës ia hoqi mundësinë Kosovës për t’u liberalizuar vizat pasi Haradinaj sipas tij e kishte thënë në praninë e Merkelit dhe Macronit në Samitin e Berlinit.
“..e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike” –shkruan Rama në postim.
Në fakt Rama në shkrimin e tij të 10 gushtit 2021 shkruante se “lideri kosovar” gjatë diskutimeve me Macronin dhe Merkelin kishte thënë “s’ma ha Luli për kta”, ndërsa ish-ministri i kabinetit Haradinaj Selim Selimi shkruante ndryshe duke treguar versionin se shprehja i ishte drejtuar Ramës duke i thënë “s’po m’han Luli për ty”.
Përplasja mes Haradinajt dhe Ramës duket se e ka këtu pikënisjen dhe jo në deklaratat publike për të cilat kryeministri i Shqipërisë do hidhte në gjyq për shpifje ish-kryeministrin e Kosovës.