Zv.kryeministri Braçe ‘u përfshi’ ditën e djeshme në transferimin e bujshëm të Lionel Mesit nga Barcelona te PSG-ja.
Teksa postoi një foto të katedrales së Milanos numri dy i qeverisë komentoi shkuarjen e yllit argjentinas pas 17 sezonesh në Spanjë te klubi francez. Po me vendin nën flakë, qytetarët nuk ia kanë përtuar Braçes duke e masakruar me komente.
Ata i thonë zv.kryeministrit që të përqendrohet në shuarjen e zjarreve e në blerjen e helikopterëve për këtë qëllim teksa vendi po përballet nga veriu në jug me zjarret që kanë shkaktuar dëme të mëdha.
Pak ditë më parë, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i pyetur lidhur me zjarret në vend tha se kishte qenë në një eveniment familjar ndërsa pas kthimit në detyrë porosiste zjarrrfikësit që të përdornin kazma, lopata e sëpata për frenimin e flakëve.
Po kështu ministri i Brendshëm Çuçi është fotografuar duke pushur në bregdet ndërkohë që ministri i Brendshëm i Kosovës erdhi në Kukës për të mbikëqyrur zjarret në Kalimash bashkë me trupat ushtarake e zjarrfikësit nga Kosova.