Vendosni fjalën kyçe....

Ngatërruan shënjestrën në Shkodër, arrestohen dy vëllezër për plagosjen e 23-vjeçarit (Emrat)


Dy vëllezër janë arrestuar në Shkodër lidhur me atentatin ndaj një personi. Ngjarja ndodhi para dy ditësh ku një 23-vjeçar me iniciale P.H. u qëllua më armë zjarri në qytetin verierëndimor.

Sipas policisë, autori i dyshuar është 38-vjeçari Kujtim Koçeku i cili është arrestuar ndërsa i vëllai, Nikolin Koçeku, 37 vjeç është ndaluar pak më pas.

Sipas bluve, ngjarja ka të bëjë me një shumë prej 600 eurosh që dy vëllezërit i kishin kërkuar 28-vjeçarit me iniciale Gj.K. ndërsa personi i lënduar është qëlluar aksidentalisht pasi udhëtonte me makinë para shënjestrës së vëllezërve.

Njoftimi

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 09.08.2021, ku ka mbetur i plagosur shtetasi P. H., 23 vjeç, banues në Shkodër.

Vihet në pranga 38-vjeçari, autor i dyshuar i ngjarjes.

Gjithashtu, vihet në pranga edhe vëllai i 38-vjeçarit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Kujtim Koçeku, 38 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim“ e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi më datë 09.08.2021 ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi P. H., i cili po udhëtonte me mjetin e tij nga Thethi në drejtim të fshatit Nderlysë.

Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit Nikolin Koçeku, 37 vjeç, vëllai i shtetasit Kujtim Koçeku, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Nikolin Koçeku i kishte kërkuar 600 euro shtetasit Gj. K., 28 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, me të cilin ka patur konflikt të mëparshëm, dhe ky shtetas ka qenë objektivi, pasi 28-vjeçari qarkullonte me mjet pas automjetit të shtetasit P. H., në momentin kur shtetasi P. H. është plagosur me armë zjarri nga shtetasi Kujtim Koçeku.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.