Qeveria gjermane ka mbështetur nismën “Ballkani i Hapur” të shtyrë me iniciativën e 3 shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të refuzuar deri më tani nga Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë Herzegovina.
Në një reagim për Gazeta Express, një zëdhënës i qeverisë së Berlinit zyrtar ka thënë se çdo bashkëpunim rajonal është i dobishëm por në të njëjtën është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës.
“Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”.
Nga Berlini zyrtar kanë rikujtuar se të gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë zotimet e tyre në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 5 korrik për çështjen e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, derisa e përmendin edhe kërkesën e Kancelares Merkel që të dyfishohen përpjekjet për finalizimin e katër marrëveshjeve deri më 6 tetor, kur edhe do të mbahet Samiti i radhës Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor.
Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale.
Të pyetur nëse kjo nismë është një sinjal që Bashkimi Evropian ta ndryshojë politikën e zgjerimit, meqë vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë rrugë të tjera të bashkëpunimit pa u anëtarësuar në BE, nga Berlini thonë se qëndrimi i tyre për “perspektivën drejt BE’së të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit, mbetet i pandryshueshëm”.