Tetë persona besohet se janë vrarë pasi një helikopter Mi-8 u rrëzua në një liqen në jug të Gadishullit Kamchatka në Lindjen e Largët të Rusisë. Gjithsej 16 persona ishin në bordin e tij.
Helikopteri, që përdorej nga Vityaz-Aero, mbante 13 turistë, përfshirë një fëmijë dhe tre anëtarë të ekuipazhit e u rrëzua në Liqenin Kuril të enjten herët.
Tetë persona vdiqën në aksident, thanë zyrtarët shëndetësorë për agjencinë e lajmeve Interfax, duke shtuar se trupat ka të ngjarë të gjenden në fund të liqenit. Piloti i helikopterit thuhet se është mes atyre që supozohet se janë vrarë. Tetë persona të tjerë u shpëtuan dhe pas dërgimit në spital raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Mbeturinat e helikopterit u fundosën pothuajse menjëherë pas rrëzimit. Gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit ia dolën të dilnin nga rrënojat në kohë për të arritur në sipërfaqe dhe u nxorën nga uji i ftohtë nga punonjësit e parkut natyror.
Liqeni Kuril përfshin një sipërfaqe prej 76 kilometrash katrorë dhe është një pikë turistike e njohur, veçanërisht gjatë pushimeve verore. Thellësia e tij maksimale është 316 metra.
Pas tragjedisë, të gjitha udhëtimet me helikopter në liqen janë pezulluar. Më shumë se 60 njerëz janë përfshirë në operacionet e shpëtimit.
Një hetim penal ka nisur për ngjarjen. Raportohet se helikopteri ishte i vlefshëm për fluturim pas një kontrolli para fluturimit, por besohet se mjegulla mund të ketë luajtur rol në rrëzimin tragjik.