Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Lumasit kallëzojnë në SPAK kryebashkiaken e Dimalit Juliana Memaj e kompaninë ‘Salillari’


Banorët e fshatit Lumas kanë kallëzuar penalisht në SPAK kryebashkiaken e Dimalit, Juliana Memaj si dhe administratorin e shoqërisë ‘Salillari’, Pëllumb Salillari.

123 banorët e këtij fshati kërkojnë ndjekje penale për shtetasin Pëllumb Salillari, të cilin e akuzojnë disa vepra penale mes të cilave ‘Shpërdorimi i tokës’, ‘Prerja e paligjshme e pyjeve’, ‘Shkatërrimi me zjarr i pyjeve’ e ‘Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore’.

Po kështu ata kërkojnë ndjekje penale për shpërdorim detyre edhe për kryebashkiaken e Dimalit (Urës Vajgurore), Juliana Memaj.

Sipas banorëve, kompania ‘Salillari’ ka shkatërruar dhe prerë kurorën e pishave mbi guroren e Gurit të Bardhë në bashkinë Dimal. Në kallëzimin penal thuhet se kjo masakër mjedisore është bërë me qëllim nga kjo shoqëri për zgjerimin e sipërfaqes së shfrytëzimit për gurore dhe furrave të gëlqeres në bashkinë e Dimalit.

Po kështu ata e akuzojnë Salillarin se ka djegur rreth 30 hektarë me pyje, duke rrafshuar të gjithë kodrën me pisha në lagjen ‘Guri i Bradhë’ në Dimal, vetëm për përfitimet e tij, shkruan BW.

Për këtë masakër mjedisore, banorët e Lumasit kërkojnë ndjekje penale edhe për kryebashkiaken Memaj.

Në kallëzimin penal, banorët e Lumasit akuzojnë gjithashtu Salillarin se ka shfrytëzuar shtratin e lumit Osum duke ndërtuar një impiant punimi për shfrytëzimin e inerteve dhe zhavorrit nga shtrati i Osumit, për të ndërtuar një pjesë të rrugës Skrapar-Përmet.