Vendosni fjalën kyçe....

Kurti ‘i përgjigjet’ Ramës: Shqiptarët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin e pastaj të hapen me fqinjët, s’duhet bashkëpunim me krimin


Kryeministri i Kosovës ka thënë sot se shqiptarët duhet të jenë pranë njëri-tjetrit me projekte, bashkërendim e punë e pas kësaj mund të hapen me fqinjët.

Kurti e ka bërë deklaratën gjatë pjesëmarrjes në tribunën “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar sot nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka theksuar se shqiptarët janë të drejtuar nga SHBA-ja e BE-ja dhe se detyra më e shpejtë që duhet zgjidhur është lufta ndaj korrupsionit e zhvillimi ekonomik duke thënë se asnjë nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin.

“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin.” – ka thënë Kurti.

Ai shtoi më tej se kohë më të mira po vijnë për shqiptarët e rajonin duke qenë se SHBA-ja e BE-ja po ndihmojnë për luftën për drejtësi e demokraci e kundër ndikimit ruso-kinez në rajon.

“Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik.” – theksoi Kurti në fjalën e tij.

Deklaratat e kreut të qeverisë së Kosovës vijnë pak ditë pas prezantimit të nismës ‘Ballkani i Hapur’ të prezantuar nga presidenti i Serbisë Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zaev.