Vendosni fjalën kyçe....

Magjia e tregut të lirë


Nga Klodian Tomorri

Për gati tre dekada, tregu i fluturimeve ajrore në Shqipëri është mbajtur peng, në darët e monopoleve. Monopol aeroportual për fluturimet ndërkombëtare, monopol linjash për destinacionet më të frekuentuara.

Ajo që ndodhte ishte një marrëzi e mirëfilltë ekonomike e mbytjes së kërkesës me çmime të papërballueshme për shumicën e konsumatorëve, nga e cila fitonin para veteëm linjat ajrore dhe aeroporti, por humbiste shoqëria. Të gjitha modelet sugjeronin se kërkesa për fluturime në Shqipëri ishte të paktën 2 herë më e lartë nga sa ofronte tregu, por çmimet e monopoleve nuk e lejonin.

Gjatë gjithë këtyre viteve monopolet kanë përdorur gjithë fuqinë e tyre për të mos lejuar hapjen e tregut. Herë përdornin taksën 10 euro të qeverisë si argument se pse nuk mund të kishte fluturime ‘low cost’, herë tarifat aeroportuale, herë kërkesën e ulët e kështu me radhë. Si rezultat, shqiptarët u bënë populli i vetëm në botë ndoshta, që udhëtonin në vendin e tyre përmes aeroporteve të vendeve fqinje.

U deshën 3 dekada që monopoli të thyhej. Tani konkurrenca është duke bërë punën e saj. Hyrja agresive e Wizz Air në tregun shqiptar të fluturimeve ka ulur çmimet si asnjëherë më parë.

Çdo verë ne në media kishim një lajm të gatshëm. Krahasimin e çmimit të biletave mes aeroportit të Rinasit dhe aeroporteve fqinje, ku të fluturoje për ose nga Tirana kushtonte gati dy herë më shtrenjtë se Shkupi, Podgorica apo Beogradi. Sot raportet janë të përmbysura. Aktualisht një udhëtim Tiranë-Milano kushton 2 herë më pak se Shkup-Milano apo Podgoricë-Milano. 

Nuk është rastësi që tregu i fluturimeve në Shqipëri po gjallërohet me shpejt se kudo tjetër në vendet fqinje. Në korrik, aeroporti i Tiranës tejkaloi numrin e pasagjerëve të periudhës para pandemisë. Shumë shpejt, përjashto ndonjë kufizim drastik që mund të sjellë pandemia, Rinasi mund të arrijë 6 milionë pasagjerë në vit sepse kërkesa ka qenë gjithmonë aty.

Kompania ultra loë cost Wizz Air funksionon mirëfilltazi si një rregullator në treg. Madje si një rregullator shumë me efikas se sa institucionet shtetërore. Sapo kjo kompani nis fluturimet në një destinacion, të gjitha kompanitë e tjera detyrohen të ulin çmimet. Kjo është arsyeja se pse këtë verë në Shqipëri nuk ka më çmime biletash 400-500 euro për të fluturuar ne Romë, Londër apo Vjenë.

Qeveria vazhdon të arkëtojë taksën 10 euro për çdo pasagjer që fluturon nga Rinasi. Buxheti fiton para njësoj si më parë nga fluturimet. Madje me rritjen e tyre edhe më shumë, ndërkohë që qytetarët kanë mundësi të fluturojnë më lirë. Kjo është magjia e tregut të lirë. Tani imagjinoni sikur tregjet të hapeshin në të gjithë sektorët e ekonomisë, sa potencial dhe përfitime ekonomike do të çliroheshin.

Nuk duhet asnjë shkencë dhe as ndonjë formulë magjike. Thjesht lejimi i tregut të bëjë punën e vet.