Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e Kosovës miraton masat e reja kundër Covid, në diskoteka me pasaportën e vaksinimit


Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Në mesin e masave është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.

Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve.

Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.

Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime.

Personat nën moshën 18-vjeçare nuk janë të detyruar të prezantojnë këtë dëshmi, përveç rasteve kur hyjnë në klube të natës.

Bartja e maskës është bërë e obligueshme, përveç rasteve kur një person ec vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër persona, apo gjatë ushtrimeve fizike.

Shërbimet e gastronomisë do të mund të punojnë me 50 për qind të kapacitetit në ambientet e mbyllura dhe 70 për qind të kapacitetit në ambientet e hapura.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë është miratuar edhe kërkesa për ndarje të 80 mijë eurove për angazhim të 50 infermierëve, me qëllim të shtimit të kapaciteteve për imunizim të qytetarëve kundër COVID-19.

Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, ani pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.

Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca për t’u imunizuar kundër COVID-19.