Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Lumasit kallëzojnë në SPAK kryeinspektorin e IKMT-së Albert Zybeja


Banorët fshatit Lumas kanë kallëzuar penalisht nw SPAK për “shpërdorim detyre” kryeinspektorin e IKMT Tiranë, Albert Zybeja.

Kallëzimi penal i banorëve të Lumasit u krye mesditën e sotme, pas takimit që një përfaqësi e banorëve kreu me kryeinspektorin Zybeja ku mësuan se nuk është marrë prej tij vendimi për pezullimin e punimeve në kanionin e Sinecit pas akt-konstatimit të shkeljeve nga IKMT Elbasan.

Në kallëzimin penal të firmosur sërish nga 123 banorët e Lumasit kërkohet ndjekje penale për “shpërdorim detyre” për Kryeinspektor pranë IKMT Tiranë, Albert Zybeja, i cili duke mos marrë asnjë masë po lejon që të vazhdohet të punohet dhe të dëmtohet Kanioni i Sinecit në mënyrë kriminale, e cila është Zonë e Mbrojtur. Sipas banorëve-duke qenë se Kryeinspektori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pas u njoh me relacionin e shkeljeve ligjore të konstatuara nga 3 inspektorët e IKMT-së Elbasan, duhet të vazhdonte procedurat e mëtejshme ligjore duke marrë masa të menjëhershme për pezullimin e punimeve në burimin e Sinecit dhe gjobitjen e firmës Salillari që ka shkatërruar dhe po shkatërron Monumentin e natyrës Kanionin e Sinecit, raporton News 24.

Në kallëzimin penal të 123 banorëve të Lumasit thuhet se kyeinspektori Zybeja jo vetëm që nuk ka vijuar me procedurat e mëtejshme ligjore por po mundohet të zhbëjë procesverabalin e mbajtur nga ana e 3 inspektoreve të IMT Elbasan, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, i cili ka lejuar të ndërtohet në një zonë të mbrojtur pa marrë më parë edhe leje as nga Baseni Ujor Shkumbin Seman.

Pak ditë më parë, pas inspektimit të kryer nga IMT Elbasan, u konstatua se në zonën e Sinecit janë kryer shkelje të rënda. Kanë qenë 3 inspektorët e IKMT-së Elbasan: Klajdi Merxhani, Aranit Çela dhe Ardian Lufo ata që kanë mbajtur edhe proces-verbalin e konstatimit të kundravajtjes, proces-verbal i mbajtur në datën 05.08.2021. Inspektorët ushtruan kontroll në bashkinë Kuçovë dhe në kantierin e ndërtimit në Kanionin e Sinecit (monument natyre) dhe konstatuan kundravajtjet ligjore: marrja pa leje administrative e ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve.

Edhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Zyra e Administrimit të Basenit Ujor Shkumbin-Seman, ka bërë me dije sot nëpërmjet një shkrese zyrtare se, bashkia Kuçovë nuk është e pajisur me leje përdorimi të burimit ujorë për të cilin bëhet fjalë nga organet e menaxhimit të burimeve ujore.