Shkolla e Magjistraturës ka vënë si kusht të qenit i vaksinuar për të marrë pjesë në mësimin në auditor gjatë vitit akademik që pritet të nisë në vjeshtë.
Në njoftimin e institucionit arsimor thuhet se të gjithë studentët e stafi akademik duhe të dorëzojë në Sekretari vërtetimin e vaksinës.
“Njoftohen te gjithë kandidatet për magjistratë që studiojnë në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022, (viti i pare dhe viti i dyte i studimit), që për të siguruar mbarëvajtjen e programit të trajnimit fillestar përmes mësimit në auditor, te marrin masat e nevojshme për të kryer vaksinat anti-COVID. Çdo kandidat te depozitoje elektronikisht në sekretarinë mësimore vërtetimin zyrtar me qëllim që të jenë pjesëmarrës në trajnimin në auditor prej datës 4 tetor 2021 e në vijim. Ju kujtojmë qe muaji Gusht është i hapur për vaksinimin e te gjitha grupmoshave mbi 18 vjeç.” – thuhet në njoftim.
Pak më vonë, shkolla e Magjistraturës ka shpërndarë një tjetër njoftim ku sqaron se studentët që nuk do vaksinohen mund ta ndjekin mësimin online, shkruan Shqiptarja.
“Njoftimi i mësipërm nuk mbart detyrueshmëri për personat të cilëve ju drejtohet. Ai lidhet vetëm me mundësinë e ndjekjes se mësimit ne auditor për shkak të kushteve infrastrukturore të ndërtesës dhe auditorëve të Shkollës së Magjistraturës. Është në zgjedhjen e çdo kandidati nëse do të preferoje ndjekjen e mësimit ne auditor ose online, në varësi të vaksinimit. Shkolla ka praktikuar dhe mund të praktikoje procesin e mësimit hibrid sipas skemave që zhvilloi në vitin akademik që kaloi.” – thuhet në njoftimin e mëpasshëm të shkollës së Magjistraturës.