Vendosni fjalën kyçe....

Talibanët pushtojnë qytetin e dytë më të madh të Afganistanit, nis evakuimi i ambasadave nga Kabuli


Talibanët kanë marrë kontrollin e plotë mbi Kandahar pas luftimeve të ashpra, pasi zyrtarët konfirmojnë se forcat qeveritare janë tërhequr nga qyteti i dytë më i madh i Afganistanit.

Një zëdhënës i grupit militant postoi një deklaratë të premten duke njoftuar se krahinat më të rëndësishme të Afganistanit – Kandahar, Helmand, Herat dhe Badghis – ishin pushtuar plotësisht.

Talibanët thanë se kishin kapur qindra armë dhe automjete, si dhe sasi të mëdha municionesh, pas operacionit të suksesshëm ushtarak.

Një anëtar afgan i parlamentit i cili foli me CNN konfirmoi se qyteti nuk ishte më nën kontrollin e qeverisë së Kabulit.

“Shumë ushtarë të forcave qeveritare u dorëzuan dhe pjesa tjetër u largua,” i tha Gul Ahmad Kamin mediave, duke shtuar se disa forca afgane ishin ende në pritje për t’u evakuuar nga qyteti.

Një zyrtar i qeverisë lokale i cituar nga Reuters tha se talebanët e pushtuan qytetin pas ‘përleshjeve të ashpra’ që zgjatën gjithë natën.

Thuhet se forcat qeveritare janë ende nën kontrollin e aeroportit të Kandaharit, i cili shërbeu si një nga bazat më të mëdha ushtarake amerikane në vend.

Talibanët më vonë lëshuan një video, të supozuar të bërë në qytetin Kandahar, duke treguar një grup të rinjsh që qëndronin mbi një makinë ushtarake amerikane ‘Humvee’ ndërsa brohorisnin.

Rënia e Kandaharit – vendlindja e talebanëve – vjen ndërsa vendet perëndimore përpiqen të evakuojnë stafin e tyre diplomatik nga vendi, duke parashikuar një sulm përfundimtar në Kabul.

Thuhet se trupat e forcave speciale nga Kanadaja, Britania e Madhe dhe SHBA po vendosen për të ndihmuar transportimin e personelit të ambasadës dhe qytetarëve të tjerë nga Afganistani, sipas raporteve të shumta.

Tani besohet se nëse nuk arrihet një zgjidhje politike, talebanët mund të hyjnë në Kabul brenda disa javësh. Qyteti strategjik Ghazni, i vendosur vetëm 150 kilometra larg Kabulit ra në duart e grupit militant të enjten.

Ambasada amerikane në Kabul u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të largohen nga vendi pa vonesë, madje ka ofruar dhënien e huave atyre që kanë nevojë për para për të paguar biletat e aeroplanit.

Në maj, talebanët filluan një ofensivë masive që çoi në përfitime territoriale, pas vendimit të koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të përshpejtuar tërheqjen e tij nga kombi i shkatërruar nga lufta. SHBA-ja pritet të përfundojë daljen e saj të plotë ushtarake nga Afganistani deri më 31 gusht. /Hashtag.al