Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në vend, arrestohen e procedohen penalisht pesë persona në Lezhë, Mirditë e Gjirokastër


Disa persona janë arrestuar në Lezhë, Mirditë e Gjirokatër, pasi akuzohen për zjarrvënie. Sipas policisë, fermerët në këto zona kanë djegur mbeturinat në oborret e tyre por më pas flakët janë shpërndarë duke djegur qindra hektarë kullota e pyje.

Në Lezhë është arrestuar 52-vjeçari Petrit Leka nga Zejmeni i Lezhës, pasi zjarri me të cilin dogji mbeturinat pranë shtëpisë, çoi në djegien e një sipërfaqeje të madhe me barishte dhe kullota.

Po në Lezhë është proceduar penalisht 70-vjeçarja Gjyste Vata nga Balldreni, pasi akuzohet se nga zjarri i ndezur prej saj në kanalin kullues, dogji një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre. Në Mirditë ka rënë në pranga 66-vjeçari Preng Luçia nga fshati Gjakëz.

Sipas policisë, zjarri i ndezur në oborrin e tij doli jashtë kontrollit dhe dogji një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz të Mirditës.

Në Gjirokastër policia ka proceduar dy persona, që akuzohen për zjarret nga të cilat janë djegur toka në fshatin Radat dhe Memaliaj.

Në Dropull është proceduar personi me iniciale V.O. ndërsa në Memaliajt është proceduar penalisht 51-vjeçari me iniciale M.B..