Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi, ka akuzuar kryeministrin Rama, për vdekjet e ndodhura në vend që prej nisjes së pandemisë.
Ajo shkruan se ndërsa vendi lëngonte, Rama nuk hoqi dorë nga mashtrimet, nga shpenzimet e majme për klientët e tij, koncesionet e tenderat sekretë.
Vokshi shton se kryeministri e refuzoi planin me 5 pika të PD-së pasi synonte të plaçkiste taksat e qytetarëve e këto sipas demokrates janë kostot e pashmangshme të sundimit të pakicës që ka braktisur shqiptarët.
“Shqipëria me numrin më të lartë të vdekjeve në Europë që nga fillimi i pandemisë. 10 mijë vdekje më shumë. Dështimin e Edi Ramës me pandeminë e paguan qytetarët e thjeshtë, të cilët mbetën të pambrojtur ndërkohë që përgjigjja e vetme që qeveria kishte, ishte si përherë propaganda. Teksa qytetarët vuanin dhe ekonomia lëngonte, Rama nuk hoqi asnjëherë dorë nga mashtrimet dhe gënjeshtrat, nuk hoqi dorë as nga shpenzimet e majme për klientët e tij, nuk hoqi dorë nga koncesionet korruptive dhe nga tenderat sekretë në kohë fatkeqësie.
Prandaj, Shqipëria u rendit:
– e fundit në Europë për numrin e testimeve,
– e fundit në Europë për numrin e mjekëve për banorë,
– e fundit në Europë për ndihmën ekonomike dhe
– e para në Europë për numrin e jetëve të humbura në raport me popullsinë.
Rama refuzoi planin e PD me 5 pika, sepse ai kishte planin e tij për të plaçkitur taksat e shqiptarëve edhe në kohë pandemie. Atë që sot zbulon INSTAT-i, qytetarët e kanë jetuar dhe vuajtur në lëkurën e tyre.
Këto janë pasojat e pashmangshme të sundimit të një pakice që ka braktisur shqiptarët dhe punon vetëm për veten dhe klientët e saj.” – shkruan Vokshi.