Kreu i PD-së ka thënë se Shqipëria duhet të qëndrojë pranë SHBA-së e të përmbushë detyrimet e saj si anëtare e NATO-s lidhur me ngjarjet në Afganistan.
Basha thekson se Tirana zyrtare duhet të mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë e të bëjë aq sa sa ka mundësi lidhur me kushtet e vendit duke bërë thirrje për mbështetje e solidaritet ndaj afganasve që kanë luftuar për rend demokratik në vendin e tyre.
“Si anëtare e NATO-s, Shqipëria gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse e kemi bërë më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë tona. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë.” – shkruan Basha.
Kreu i opozitës shton se rreziqet e identitetit kombëtar të vendit si pasojë e shpopullimit nuk vijnë nga zgjedhjet strategjike në kuadër të NATO-s po për shkak të keqqeverisjees së pakicës që e ka bërë vendin e pajetueshëm.
“Rreziqet mbi identitetin tonë kombëtar, si pasojë e shpopullimit të Shqipërisë, nuk lindin si pasojë e zgjidhjeve strategjike në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA, por për shkak të keqqeverisjes së pakicës që e ka bërë vendin të pajetueshëm për qytetarët. Sikurse është detyra jonë të jemi në lartësinë e angazhimeve ndërkombëtare, është po ashtu detyra jonë të jemi në lartësinë e sfidave që ka Shqipëria, për të patur një qeveri që punon për njerëzit dhe mbështet aspiratat e tyre legjitime për të jetuar me dinjitet dhe mirëqenie në vendin e tyre.” – mbyll reagimin Basha.