Rënia rrufe e gjithë Afganistanit dhe në fund e Kabulit ka ngritur hije të forta dyshimi mbi efektivitetin e miliarda dollarëve të shpenzuara nga SHBA-ja për stërvitjen e ushtarëve afganë, një projekt që ka kushtuar rreth 58 miliardë dollarë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, që nuk dihet se kur është bërë, duket një seancë stërvitore e ushtarëve afganë nga instruktorët amerikanë, ku kadetët afganë shfaqen duke buzëqeshur e duke kryer veprime të çrregullta, pa asnjë lloj koordinimi.
Teksa përfaqësuesit e qeverisë afgane të mbështetur nga Uashingtoni dhe talibanët kishin muaj që bisedonin në Katar me ndërmjetësimin e SHBA-së për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, administrata Trump kishte njoftuar më herët tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Afganistani pas një qëndrimi 20-vjeçar aty.
Me ardhjen në pushtet të presidentit amerikan Biden, afati pë largimin e trupave amerikane u vu 31 gushti 2021 dhe ndërsa ushtarët amerikanë nisën të paketonin plaçkat, talibanët nisën sulmin për të shtënë në dorë mbarë vendin.
Pas një përparimi të shpejtë disa javor në thuajse të gjitha qendrat e rëndësishme të vendit, ku nuk hasën asnjë rezistencë nga ushtria afgane e stërvitur nga SHBA-ja, të dielën ata iu afruan kryeqytetit Kabul.
Edhe pse ishte parashikuar që ushtria afgane e stërvitur dhe pajisur me armë nga ushtria amerikane të rezistonte të paktën disa javë në mbrojtje të kryeqytetit, rezistenca e tyre zgjati vetëm pak orë, me talibanët që morën nën kontroll kryeqytetin duke detyruar presidentin e mbështetur nga SHBA e vendet e tjera perëndimore, Ashraf Ghani, të arratisej me helikopter.
I gjithë investimi financiar dhjetëra miliarda dollarë e njeëzor amerikan në Afganistan, u zhbë në pak javë. Më poshtë është një videoi që tregon një seancë stërvitore të ushtarëve afganë.