Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit kundër vaksinave përplasen me Antifa-n në SHBA, plagoset me thikë një person (Video)


Një burrë është goditur me thikë pasi protestuesit që kundërshtuan vaksinat dhe maskat, jashtë Bashkisë së Los Anxhelosit, u përplasën me kundërdemonstruesit, të cilësuar si aktivistë të Antifa-s nga policia.

Dhjetëra njerëz që valëvitnin flamujt amerikanë dhe mbanin postera anti-vaksinë dolën në një protestë kundër masave që synojnë të detyrojnë vaksinimet kundër Covid-19.

Edhe pse një detyrim nuk ekziston ende, Këshilli i Qytetit të Los Anxhelosit votoi të mërkurën që avokatët e qytetit të fillojnë të punojnë për një ligj që do ndalonte banorët që refuzojnë të vaksinohen nga hyrja në restorante, palestra, kinema e qendrat tregtare.

Tubimi, megjithatë, shpejt u shndërrua në dhunë pasi shpërthyen përleshjet midis palëve rivale.

Në një moment, një burrë u godit me thikë në gjoks dhe u rrëzua në rrugë. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë mjekët që përdorin një barelë për të hipur viktimën në një ambulancë. Asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani.

Burri u dërgua në spital në një gjendje të rëndë, sipas Departamentit të Policisë.