Ministria e Shëndetësisë në Kosovë do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës masa të reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Në mesin e këtyre masave është mbyllja e klubeve të natës.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një konference për media, ku tha se po ashtu do të reduktohet aktiviteti i gastronomisë.
“Nga nesër do t’i propozojmë qeverisë që të vendos për ndërmarrjen e disa masave, të cilat do të prekin disa sektor të jetës sonë. Do të propozojmë që të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet aktiviteti i gastronomisë”, tha Vitia.
Vitia tha se përhapja e madhe e COVID-19 ditëve të fundit në Kosovë ka ndodhur si pasojë e grumbullimeve të njerëzve në hapësira të mbyllura.
Ndryshe, sot është shënuar rekord i ri i rasteve të reja me COVID-19, ku vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar më shumë se 1 mijë e 700 raste, si dhe janë shënuar 5 vdekje.