Vendosni fjalën kyçe....

4 poliklinika për vaksinimin në Tiranë, Manastirliu: Po përgatisim udhëzimin me masat për shkollat


4 poliklinika më shumë do të jenë në dispozicion tani e tutje për vaksimin antikovid në Tiranë.

“Besoj se do t’i shërbejë edhe më shumë rritjes së mbulesës vaksinale, pasi janë të shumë qytetarët të cilët vijnë dhe referohen nga mjekët e familjes në Poliklinika”, tha ministrja e Shëndetësisë Manastirliu.

Manastirliu e përshkroi gjendjen aktuale epidemike si me rritje, kur tha seështë vënë re një rritje e incidencës dyjavore në grupmoshën mbi 55 vjeç, por ka rritje edhe tek të rinjtë.

Lidhur me nisjen e vitit të ri shkollor ministrja e Shëndetësisë tha se po përgatiten duke u ardhur në ndihmë shkollave me udhëzimet e reja.

“Ne do të vijojmë që të përqendrojmë të gjithë forcat tona përsa i përket vaksinimit. Por nga ana tjetër pa lënë mënjanë edhe masat e thjeshta, siç janë maska, distanca, higjiena. Të tre këto masa të thjeshta, të cilat janë në mbrojtje të shëndetit publik dhe për të cilat ne do të vijojmë që të kemi masa shtesë edhe në protokollet të cilat ne jemi duke ndërtuar. Mos harrojmë që shumë shpejt do të fillojë viti i ri shkollor. Më tej do të fillojnë edhe universitetet. Janë të gjitha çështje të cilat janë në diskutim në Komitetin e Ekspertëve, me Institutin e Shëndetit Publik, për të gjitha protokollet, të cilat janë duke u rifreskuar nga ekspertët tanë.”, tha Manastirliu.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë më shumë se 1 milion e 800 mijë doza vaksine antikovid të mbërritura në Shqipëri deri tani. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1.340.339 doza të vaksinës, ku prej tyre 575.342 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës.