Presidenti Joe Biden mbrojti vendimin e tij për të tërhequr të gjitha forcat amerikane nga Afganistani, duke thënë se SHBA u dha afganëve ‘çdo mundësi për të përcaktuar të ardhmen e tyre’.
“Ne nuk mund t’u sigurojmë atyre vullnetin për të luftuar për atë të ardhme,” tha presidenti në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse Afganistani nuk është në gjendje të bëjë ndonjë rezistencë të vërtetë ndaj talebanëve tani, nuk ka asnjë shans që në një vit tjetër, pesë vjet të tjerë, ose 20 vjet të tjerë, çizmet ushtarake amerikane në terren do të kishin bërë ndonjë ndryshim.” – shtoi Biden.
Biden pranoi se administrata e tij ishte kapur në befasi nga dorëzimi i shpejtë i ushtrisë afgane, por tha se ai u përball me një vendim të dykahshëm. Ose do i duhej të ndiqte marrëveshjen e bërë nga ish-presidenti Donald Trump me talebanët për të tërhequr të gjitha forcat amerikane, ose do duhej të rriste ndjeshëm numrin e ushtarëve në Afganistan.
“Nuk kishte ‘status quo’ të stabilitetit pa viktima amerikane pas 1 majit. Ishte vetëm realiteti thelbësor ose i zbatimit të marrëveshjes për tërheqjen e forcave tona ose përshkallëzimi i konfliktit dhe dërgimi i mijëra trupave të tjera amerikane përsëri në luftime në Afganistan në dekadën e tretë të konfliktit, “tha ai.
Biden është përballur me kritika si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët mbi ritmin e përpjekjeve për të evakuuar afganët që ndihmuan SHBA-në dhe familjet e tyre gjatë konfliktit dy-dekadësh.