Në mesin e debateve për respektimin e të drejtave të grave në Afganistan, bëri përshtypje edhe prezenca e gazetares austrialiane Charlotte Bellis në konferencën e parë për shtyp të talebanëve.
Këto janë disa nga fotot e para të publikuara para nisjes së konferencës, me pyetjen “Ku janë gratë?”.
Por më pas u mor vesh se në sallë ishte edhe gazetarja Bellis, gruaja e vetme, e cila “vuri gishtin në plagë”.
Gazetarja e “Al Jazeera”-s lindur në Zelandën e Re i pyeti se si talebanët do të respektonin të drejtat e mijëra grave afgane.
“Unë dua t’ju flas për të drejtat e grave dhe vajzave. Nëse grate do të lejohen të punojnë dhe nëse vajzat do të vazhdojnë të shkojnë në shkollë. Çfarë garancish mund t’u jepni grave dhe vajzave se të drejtat e tyre do të mbrohen?”, pyeti Bellis.
Zabiullah Mujahid zëdhënës i talebanëve u përgjigj se gratë do të kenë të drejta për sa kohë do të ndjekin Ligjin e Sheriatit duke theksuar: “Grave do t’u sigurohen të gjitha të drejtat e tyre. Qoftë në punë apo në aktivitete të tjera sepse gratë janë pjesë kyçe e shoqërisë. Ne jemi duke garantuar të gjitha të drejtat e tyre brenda kufijve të Islamit”.