Irani ka ndjekur me kujdes ngritjen e talebanëve në kufirin e tij lindor, teksa grupi që dikur vrau një duzinë diplomatësh iranianë dhe masakroi shiitët Hazara, pushtoi kryeqytetin.
Ashtu si shumica e vendeve të tjera, Irani ka pak zgjedhje, përveçse të shikojë talebanët të forcojnë autoritetin në të gjithë vendin dhe të rivendosin Emiratin Islamik të Afganistanit, i cili sundoi gati 90% të vendit para se të rrëzohej nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e Al-Kaedës në vitin 2001. Sipas deklaratave të zyrtarëve iranianë, duket se autoritetet iraniane e prisnin një skenar të tillë dhe tashmë shpresojnë të shmangin tensionet e mëparshme me grupin.
Presidenti Ebrahim Raisi tha se si ‘vend fqinj dhe vëllazëror, Irani fton të gjitha grupet në vend drejt pajtimit kombëtar”. Deklarata e Raisit që flet për “të gjitha grupet” sinjalizon se Irani është i gatshëm të punojë me talebanët nëse ata e marrin plotësisht nën kontroll vendin.
Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm iranian në largim, Mohammad Javad Zarif, priti përfaqësues nga talebanët dhe qeveria afgane në Teheran për bisedime.
Ndryshe nga ngritja e Shtetit Islamik, të cilin mediat iraniane e mbuluan gjerësisht, shtypi iranian ishte mjaft ‘i heshtur’ ndaj fitoreve të ndryshme të talebanëve në ditët e fundit, veçanërisht në rënien e Kabulit.
Pjesa më e madhe e mbulimit ka qenë raportim i drejtpërdrejtë, me pak hollësi nga zhvillimet. Nuk ka pasur raporte për një kërcënim të afërt ndaj kufijve të Iranit, në krahasim me spekulimet e gjera se IS do të përpiqej të bënte një inkursion në Iran.
Një arsye pse mbulimi ka qenë kaq i ulët e i varfër mund të jetë një paralajmërim nga forcat e sigurisë për ta mbajtur atë kështu. Ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad, i cili kohët e fundit është shndërruar në një figurë opozitare, pohoi se një zyrtar i sigurisë e kishte paralajmëruar atë që të ndalonte së foluri publikisht për talebanët. Ahmadinexhad iu referua talebanëve si një ‘kërcënim serioz për Iranin dhe rajonin’ dhe pyeti pse ‘pak në institucionet e sigurisë’ i shohin talebanët si domethënës.
Një numër analistësh iranianë e vlerësuan si domethënës faktin se një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit i referohej talebanëve si ‘Emirati Islamik’, në vend që t’i quante një grup terrorist, siç bëjnë zakonisht zyrtarët iranianë kur u referohen grupeve armiqësore.
Sidoqoftë, Irani në heshtje po merr masa paraprake. Ai ka pezulluar fluturimet në Afganistan dhe ka zvogëluar stafin e saj diplomatik në Kabul, Herat, Jalalabad dhe Kandahar. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Saeed Khatibzadeh tha se jo të gjithë zyrtarët janë evakuuar dhe disa do të mbeten dhe do të vazhdojnë të punojnë.
Një artikull nga Agjencia e Lajmeve Mehr hodhi dritë mbi qëndrimet e mundshme të Iranit. Ai deklaroi se ndryshe nga Al-Kaeda, e cila kërkonte të vriste njerëz që besohej se ishin jobesimtarë dhe Shteti Islamik, i cili donte të pushtonte të gjitha tokat islame dhe të vriste shiitët, talebanët duan të kontrollojnë Afganistanin dhe të vendosin një emirat islamik me pashtunët në kontroll.
Edhe pse Irani do të preferonte që talebanët të mos ishin në pushtet, ai mund të mos i shohë ata si një kërcënim të drejtpërdrejtë, të paktën jo tani për tani.
Sipas zyrtarëve iranianë, pavarësisht dhunës së tij të mëparshme, grupi duket të jetë më i ‘matur’ sesa dikur.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Al-Monitor
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani