Ndërsa në vend pritet të mbërrijnë sot 300 afganët e parë, studentëve në Qytetin Studenti u është thënë të largohen për të liruar godinat që do përdoren për strehimin e ardhurve.
Në një video të publikuar dy ditë më parë, studentëve u thuhet se nuk mund të futen në godinë pasi ajo do përdoret për strehimin e afganëve. Ata me të drejtë pyesin se nuk e dinë çfarë do ndodhë me ta dhe se nuk janë të përgatitur për këtë punë.
Përveç bllokimit të regjistrimeve për studentët e rinj që nisin universitetin këtë vit akademik, edhe ata që kanë qenë brenda godinave janë nxjerrë jashtë pa u dhënë asnjë zgjidhje për problemin e strehimit me të cilin duhet të përballen tani e tutje.
Fillimisht janë 6 godinat që janë liruar për të pritur afganët që po largohen nga vendi. Sot pritet të mbërrijnë 300 të parët ndërsa numri i përgjithshëm i tyre nuk dihet ende.
Nuk ka ende asnjë informacion zyrtare nëse me rritjen e numrit të tyre, do të duhet të lirohen të tjera godina në Qytetin Studenti e po kështu as se çfarë do ndodhë me strehimin e studentëve që po nxirren jashtë apo po u mohohet regjistrimi.
Ditën e djeshme kryebashkiaku i Tiranës Veliaj pohoi se në muajt gusht e shtator afganëet do strehohen në godinat e Qytetit Studenti ndërsa në tetor do kalojnë në hotelet e Durrësit. Megjithatë deri tani nuk është zbuluar për publikun asnjë plan zyrtar për këtë gjë për më tepër që numri i afganëve që do vijnë në Shqipëri është i paqartë
Një pjesë e afganëve është thënë se do strehohen në hotelet e Durrësit teksa sezonit të plazhit po i vjen fundi e shumë prej hoteleve pritet të zbrazen nga pushuesit.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama tha se Shqipërua ishte ofruar për të strehuar afganët që do largoheshin nga vendi. Ai tha se bëhej fjalë për një detyrim ndaj SHBA-së e NATO-s edhe pse Austria, vend i NATO-s ka refuzuar të presë afganët ndërsa qëndrimi i vendeve të aleancës nuk është qartësuar ende.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Kim, ka vlerësuar larg solidaritetin e treguar nga Shqipëria për këtë rast duke thënë se mbarë bota është prekur nga ky veprim.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani