Vendosni fjalën kyçe....

Vijon situata problematike me zjarret në Kukës e Mirditë


 

Nuk janë vënë ende nën kontroll zjarret në veriun e vendit. Sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile në Kukës, flakët në majën e Runës janë ende problematike edhe pse për shuarjen e tyre janë përdorur edhe helikopterët.

Në vendin e ngjarjes janë 10 zjarrfikës,  7 punonjës të pyjores , 8 banorë dhe 15 forca ushtarake të DMR-së Kukës që po punojnë për izolimin e flakëve.

Në Has është ende një vatër zjarri aktive në zonë pyjore afër lagjes Ahmataj, fshati Nikoliq. Për izolimin e kësaj vatre zjarri janë angazhuar 10 punonjës të pyjores dhe 4 efektiv zjarrfikës të MZSH-së Has. Në Mirditë, vijojnë të jenë aktive dy vatra zjarri, një në zonën e Thirrës në Fane dhe tjetra në Katund të Vjetër, Rubik.

Për momentin nuk janë problematike, por për shkak të erave të forta mund të përkeqësohen. Momentalisht në terren ndodhen 65 forca të ushtrisë. Në Tropojë, vatrat e zjarrit në një zonë të mbrojtur në Dragobi dhe në Cërrnicë janë shuar plotësisht.