Një plan në dukje i ekzekutuar përgjysmë është mbajtur në hije këto tri ditë, duke shmangur publikime detajesh në medie të mëdha të vendit.
Por ngjarja nuk është nga ato pa rëndësi sepse bëhet fjalë për vendosjen e 50 kilogramëve tritoli te dera.
Hashtag.al mëson se 27 kallëpe tritol janë vendosur në një kompani për prodhimin e materialeve ndërtuese (çimentoje), me qëllimin e krijimit të një shpërthimi të kontrolluar, i cili do të realizohej me efekt zinxhir, sekondë pas sekonde.
Administratori rumun i kompanisë ka qenë jashtë vendit në momentin e ngjarjes por mësohet se roja që ka qenë prezent në ambjentet e kompanisë është lidhur. Toka ku është ngritur fabrika ka qenë e Laze Hasanit dhe Arjan Laçit.
Por çfarë njoftimi zyrtar jepte për ngjarjen policia duke e klasifikuar si informacion paraprak?
“Më datë 16.08.2021, rreth orës 03:15, persona ende të paidentifikuar, janë futur në një subjekt (firmë për prodhimin e lëndeve ndërtuese) në lagjen nr.14, Durrës, me adminstrator shtetasin M. L., dhe kanë vendosur një sasi të dyshuar lënde eksplozive e cila nuk ka shpërthyer. Pas sigurimit të vendit të ngjarjes nga shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere kanë realizuar çmontimin e lëndës shpërthyese.”, thuhet në njoftim, duke siguruar se është ngitur një grup i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Pas 3 ditësh duket që mbizotëron heshtja për gjetjen e autorëve, edhe pse gjurmët janë më të mëdha edhe se “ujku”.
Gazetarët e kronikës kanë dhënë disa indicie, duke hedhur vëmendjen te “dyshja Laze Hasani dhe Arjan Laçi”, edhe pse numri i kallëpe të tritolit sipas tyre është i ndryshëm.
“Ajo që ka ndodhur në Durrës tre ditë më parë, nuk mbaj mend të jetë përsëritur ndonjëherë në këto 20 vitet e fundit. 50 kg tritol, e ndarë në 25 kallëpë të veçantë dhe të lidhur me kapsolla e fitila në dy polet plus-minus të një baterie makine, s’mund ta bëjë një njeri dosido, por vetëm një komando xhenierësh të përgatitur dhe me njohuri të posaçme për atë punë. Tre persona të veshur si ushtarakë, kishin lidhur 25 kallëpë tritoli, duke i shpërndarë në mënyrë të ç’regullt në kollonat mbajtëse të impiantit të prodhimit të çimentos dhe disa automjete. Tritoli s’ka shpërthyer për shkak të voltazhit të ulët të baterisë së makinës.”, jep hollësi mbi ngjarjen gazetari Elton Qyno.
Qyno thotë edhe se këto kallëpë janë identikë si ata që përdorin kompanintë e guroreve në Fushë-Krujë.
“Prona ku ishte vedosur sasia e madhe e tritolit, është në pronësi të dy shtetasve Gjermanë dhe një shtetasi Bullgar. Por në fakt toka ku është ngritur ky biznes, është e dy emrave jo të panjohur për policinë. Njëri është L.H nga Durrësi dhe tjetri është A.L, nga Laçi me qëndrim në Durrës. Të dy janë persona me kartela policore dhe kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në Durrës. Por ka 4 ditë që ka ndodhur ngjarja dhe askush nuk flet për këta tipat.”, thekson ai.
Gazetarja Klodiana Lala i bie në kokë ngjarjes, duke thënë që uron që “të gjendet një prokuror t’i thërrasë në pyetje edhe Laze Hasanin edhe Arjan Laçin.Edhe pse për momentin biznesin e administron një i huaj. Dyshoj shumë të ndodhe se meken kur u kujtojnë emrat.”
Gazetarja Anila Hoxha shkruan se kanë qenë 3 persona të maskuar që kanë hyrë brenda kompanisë për të vendosur tritolin.
“50 kilogramë tritol, numëruar ndryshe 33 kallepe të lidhur me njëri-tjetrin, për fatin e bardhë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në lagjen numër 14 në Durres nuk shpërthyen. Do kishte ndodhur një masakër në Shkozet.
Çfarëdo të ketë ndodhur brenda atyre mureve dhe kushdo që të jetë i dyshuari, duhet urgjent të bëhet publike.
Të zotët e biznesit ngrenë supet. Nuk munden të tregojnë dot para prokurorisë nëse janë kërcënuar, nëse po paralajmërohen nga nje grup kriminal i caktuar në Durrës, apo është mirëfilli një shpërthim që nuk ndezi nga rastësia dhe fati.”, thekson Hoxha. /Hashtag.al