Çmimet e importit të energjisë kanë regjistruar vlera të larta gjatë gushtit, duke kulmuar në procedurën e fundit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ku 1 MWh u sigurua për rreth 149 euro.
Kjo është ndër vlerat më të kripura me të cilin Operatori ka blerë energji. Vetë OSHEE ka pranuar se, në disa raste, blerjet e nevojshme për të plotësuar kërkesën e gushtit kanë pasur çmime të larta, por shkak për këtë është bërë situata e përgjithshme në Bursë.
“Ka një çmendje të çmimeve dhe të tregut në përgjithësi sa i takon energjisë gjatë kësaj periudhe e nxitur normalisht nga kërkesa e lartë. Çmimet në bursë kanë prekur vlera të larta dhe vetë tregtarët kanë raportuar humbje për shkak se në momentin që është bërë rezervimi nuk është parashikuar një situatë e tillë”, pohojnë burime nga OSHEE. Nëse i referohemi Bursës Hungareze gjatë gushtit, çmimet kanë qenë relativisht të larta, por sipas OSHEE kjo nuk është e vetmja arsye.
Burime nga kompania konfirmuan se ka një rritje edhe të kostove të transmetimit të cilat vijnë si rrjedhojë e rrugës më të gjatë që ndjek energjia për transmetimin drejt Shqipërisë. Më herët ishte rruga e shkurtër e kalimit nga Serbia në Kosovë dhe më pas në Shqipëri, por konflikti i operatorëve të dy vendeve kanë bërë që Serbia të mos transmetojë energji nga Kosova e për rrjedhojë të ndiqen linja alternative por më të gjata që edhe koston e kanë dukshëm më të rritur. Këtu hyn dhe pjesa që sa më i vogël kapaciteti që transmetohet aq më e lartë kostoja dhe vetëm transmetimi sipas burimeve nga tregu ka një peshë rreth 30 euro në totalin e çmimit final.
OSHEE bën me dije çmimi mesatar me të cilin u sigurua energjia në 15 ditëshin e parë të gushtit ishte 119 euro/MWh një çmim më i leverdishëm sesa ai me të cilën energjia u siguria për këtë 15 ditësh të dytë.
Dy procedura që siguronin energji nga data 18-31 gusht kanë pasur një vlerë monetare totale prej 12.3 milionë eurosh për një sasi energjie prej 84.800 MWh. Në të dyja procedurat ka pasur prokurim me tre lote ku çmimet për sasitë më të mëdha janë luhatur mes 144-149 euro MWh. Mesatarja për të dyja blerjet për një megavat ka rezultuar tek 145.82 euro/MWh. /N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor