Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka falënderuar Kryeministrin Edi Rama për ofrimin e ndihmës për strehimin e për afganët e rrezikuar nga ardhja në pushtet e Talibanëve në Afganistan.
Më tej Blinken shkruan se është mirënjohës për partneritetin e fortë mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në NATO.
“Faleminderit Edi Rama për ofertën e Shqipërisë për të siguruar strehë të sigurt për afganët në nevojë. Shumë mirënjohës për partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatit tonë në NATO”-shkruan Blinken.
Ndërsa Blinken e falënderoi personalisht nëpërmjet rrjeteve sociale, zyra e shtypit e DASH thotë se mes tij dhe Ramës është zhvilluar dhe një telefonatë mbi këtë çështje.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken bisedoi dje me Kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sekretari dhe Kryeministri u konsultuan mbi ofertën e aleates së NATO -s, Shqipërisë, për të strehuar afganët në nevojë. Gjithashtu, Sekretari Blinken falënderoi Kryeministrin Rama për vijimin e traditës krenare të Shqipërisë në strehimin e njerëzve në nevojë. Sekretari dhe Kryeministri riafirmuan partneritetin e ngushtë midis dy vendeve”-thuhet në deklaratë.