Vendosni fjalën kyçe....

Kundër propagandës së përlotjes


Nga Aurel Plasari

Atë të përlotjes e përjetoj si sektorin më të neveritshëm të propagandës. Jo vetëm për afganët, siç e solli rasti. Propagandë përlotjeje me foto, të shkrepura prej fotografësh “të specializuar”, që ndjellin trishtim, pikëllim dhe, më në fund, lot. Intervista në të cilat intervistuesi i di përgjigjet më mirë se i intervistuari. E ka bërë shkollë Perëndimi këtë sektor propagande, pa vënë re që gati po fshik kufijtë e palaçollëkut, si me foton te “La Stampa” të një cuce në Kabul me qenin ndër krahë e me thirrjen: “Shpëtoni stafin tim dhe qentë dhe macet nga ferri i Kabulit!”. Të gjitha për t’u mëshuar sentimenteve të një kategorie të madhe konsumatorësh, tanimë të dobësuar e të ligështuar, të qytetërimit perëndimor.

Çfarë kuptimi ka të pretendosh lirinë dhe demokracinë pa luftuar për to? E pakta pa u mbrojtur? Me fjalë të tjera, të kërkosh ato çfarë vetë Perëndimi, ai i dikurshmi e i vërteti, i ka fituar me gjak?

Për ata që mund të bëjnë sikur nuk kuptojnë: vetë amerikanët e veriut kanë luftuar shtatë vite për t’u çliruar nga Britania e Madhe dhe në shek. XIX kanë bërë një luftë civile të vrazhdë duke u vrarë shoq me shoq. Italia ka bërë tri luftëra për pavarësinë. Franca një revolucion sa për dhjetë luftëra plus një luftë civile historike. Britania e Madhe një revolucion dhe një luftë civile. Spanja gjashtë vite luftë për pavarësi dhe në shek. XX katër vite luftë civile. Pothuaj të gjithë kështu. Për të mos llogaritur sesi luftuan popujt gjatë Luftës së Dytë Botërore. Etj. Dhe përmenda vetëm luftërat e mëdha.

Bën mirë për shëndetin, mendoj, ta refuzosh përlotjen propagandistike ndaj një populli, më sak ndaj shumicës së tij, që dorëzohet para bandave fanatike dhe merr ikën për të ikur. Jam me z. Rusell, që tha dikur se Forca morale qëndron ndaj Forcës materiale si Treshi ndaj Njëshit. Ku e ka forcën morale kjo shumicë, ndërsa paska forcë morale pakica talebane që pushton vendin dhe hedh në dorë pushtetin vetëm brenda pak ditësh? Ndërsa shumica “e qytetëruar”, që pretendon liri dhe demokraci me ndihmën e të huajve, – gjithnjë nëse i pretendon vërtet, – ia mbath vrapit ku sytë këmbët.

Është e papranueshme që sektori i përlotjes i propagandës së Perëndimit të nxitë një popull të ikë e të mos luftojë aty në vend, siç ka luftuar vetë Perëndimi gjatë historisë së tij, dhe të ofrojë kështu modelin e turmës së mefshtë, të qullët, të flashkët. E përsëris: jo vetëm për afganët, por për cilindo popull, pa përjashtim.

Ta kuptojmë mirë e bukur edhe presidentin Joe Biden me deklaratën e tij: që nuk ka se përse amerikanët të zhvillojnë luftë për afganët kur ata vetë nuk janë të gatshëm ta bëjnë atë – pra luftën – për veten e tyre. Nuk besoj që z. president i ShBA ta ketë thënë “padashka”.