Nga Altina Marmullaku, Ana Gjoka
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar aksion kundër koncertit të këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviç, në Shqipëri, por nuk e ka bërë të njëjtën edhe për koncertin e grupit fashist serb “Riblja Corba”në Kosovë.
I pyetur nga Albanian Post, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Arlind Manxhuka, nuk ka dashur të flas përse nuk e kundërshtuan koncertin e “Riblja Corba” në komunën e Leposaviçit.
Ai nuk ka komentuar as në anën tjetër; aksionin e Vetëvendosjes në Korçë, ku me një baner të madh Vetëvendosje shkruante “Bregoviç dajre gjenocidi”.“Për aktivitetin e Tiranës përgjigjët qendra tjetër, është qendër e pavarur”, ka thënë Manxhuka për AP. Albanian Post ka kontaktuar me udhëheqësin e “qendrës tjetër”, atë të Tiranës, Bojken Abazin. Edhe ai s’ka dashur ta komentojë as aksionin në njërën anë, as heshtjen në anën tjetër.
Por, sipas postimit në Facebook, Vetëvendosje organizoi aksionin pasi “muzikanti i shumëkontestuar Bregoviç nuk e ngriti kurrë zërin gjatë aparteidit të Milosheviçit në Kosovë” dhe gjithashtu “gjeti kohën të organizonte një koncert kundër ndërhyrjes së NATO-s në krah të UÇK-së”.
Ndryshe nga Bregoviç që nuk e kishte ngritur zërin kundër Sllobodan Millosheviçit, grupi fashist “Riblja Corba” e kishte ngritur zërin, por në mbështetje të Millosheviçit dhe krimeve të tij.
“Riblja Corba”, madje për NATO-n kishte kompozuar edhe një këngë, ku e mallkonte aleancën për bombardimet. “Avion do të t’i thyej krahët”, ishte titulli që ia dëshironte dështimin aleancës që ndihmonte Kosovën.
Derisa vokalisti i grubit, Bora Gjorgjeviç, ishte ai që në tekstet e tij shprehi hapur përkrahjen dhe adhurimin për mënyrën e të qeverisurit të Presidentit të asaj kohe të ish-Jugosllavisë, Slobodan Milloshoviç.
Në fillim të bombardimeve të NATO -s, “Riblja Corba” regjistroi edhe “këngën patriotike”, “Samo Sloga Srbina Spasava” (Vetëm bashkimi I shpëton serbët), e cila konsiderohet si një nga këngët më nacionaliste në historinë e muzikës serbe.
Frontmeni, Bora Gjorgjeviç, ka vazhduar edhe pas luftës të jetë i zëshëm kundër shtetit të Kosovës dhe ka pasur qëndrime të ashpra duke e quajtur Kosovën “shtet të trilluar”.
Gjithsesi, sipas aktivistit të Vetëvendosjes në Lezhë, Iliaz Shehu, që në zgjedhjet e 25 prillit garoi për një ulëse deputeti në Parlamentin e Shqipërisë, “situata nuk është bash e ekuilibruar”.
Ai bën diferencim të rasteve, për faktin se Leposaviçi nuk është se kontrollohet nga shteti e qeveria në Kosovë, ndryshe nga Korça në Shqipëri. “Ardhja e Bregoviçit në Korçë vjen në një kontekst komplet tjetër, nga sa është grup-bendi atje në Leposaviç. Atje është një zonë me popullsi serbe dhe është e pamundur që shteti ta ketë qasjen maksimale dhe t’i ushtrojë gjithë monopolet e veta të kontrollit në atë zonë. Kështu që nuk është e njëjta situatë”, deklaroi Shehu, duke shtuar se aksioni në Korçë më shumë se kundër këngëtarit ishte kundër politikës së qeverisë shqiptare, pa bërë një shpjegim të qartë megjithatë se si lidhet Festivali i Birrës me politikat e qeverisë.
Idenë përafërsisht të njëjtë me Shehun, por të shpjeguar më ndryshe e ka edhe gazetari Mero Baze. Ai, përmes një opinioni në Gazetën Tema, argumenton se “Bregoviç është sulmuar për koncertin në Shqipëri nga Kosova, pasi Albin Kurti organizoi një sulm politik që mendon se dëmton qeverinë e Tiranës”. “Ndërkohë në Kosovë nuk ka sulme ndaj një grupi tërësisht nacionalist, që ka pasion urrejtjen ndaj shqiptarëve”, shkruan Baze.
Baze e ka quajtur të çoroditur argumentin se reagimi për grupin serb në Kosovë nuk vjen pasi “ata nuk e kontrollojnë komunën me shumicë serbe të Leposaviçit dhe aty serbët mund të bëjnë ç’të duan”.
Sipas Bazes “ata ndjehen të turpëruar se nuk kontrollojnë dot shtetin e Kosovës”, prandaj “janë gati të bëjnë sikur nuk shikojnë e nuk dëgjojnë çfarë bëhet”. Baze e ka bindje se gjithçka që u tha kohëve të fundit në rrjetet sociale kundër koncertit të Bregoviçit nuk është fare debat kulturor e as debat patriotik, por “thjesht debat politik kundër Shqipërisë”. Kritika për shfaqjen e një lloj hipokrizie në qasjen e Vetëvendosjes karshi këtyre dy situatave, kanë pasur edhe gazetarë e opinionistë në Kosovë.
Madje analisti Arben Ahmeti e ka targetuar në kritikën e tij drejtpërdrejtë kryeministrin Albin Kurti. Ahmeti ka përdorur një analogji të vetë Kurtit dikur, duke i thënë se në rastin e Korçës u soll si “skifter”, kurse për bendin serb në Leposaviç, “po bëhesh pulë”.
“Nuk tolerohet me u sjelle si pule e me u arsyetu për mosndaljen e bendit çetnik e fashist Riblja Corba”, shkruan Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.
“Ata vijnë në veri për të fyer shqiptarët dhe për të treguar se aty është Serbi, mesazh që në asnjë rrethanë nuk synon as nuk do ta kishte të mundur Bregoviç në Korçë”.
Për më tepër, Ahmeti shkruan se Kurti “e ka obligim ligjor që t’I ndalë”, derisa edhe ia ka sugjeruar mënyrën se si mund ta bëjë. “Krejt çka duhet është një veprim për shpalljen e tyre persona të padëshirueshëm për shkak të gjuhës fashiste ndaj komunitetit shumicë në vend”.
Edhe Blerim Latifi, profesori universitar i filozofisë, përkundër se nuk është i pajtimit që të bëhen paralele mes dy rasteve – atij në Korçë e këtij në Leposaviç – pajtohet se çetnikët e grupit serb duhej ndaluar.
“Me gjasë shkaku lidhet me faktin se ministrat përkatës kanë filluar të merren më shumë me çështjet e fushatës elektorale dhe nuk kanë kohë të merren me atë se kush hyn e kush del në territorin e Kosovës”, shkruan ai, po në Facebook.
Ndërsa për deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e gjithë kjo situatë ishte parashikuar herët nga ish-kryetari I saj në parti, Kadri Veseli.
“Veseli i pat thënë në Kuvend Albinit”, kujton Musliu, “se sherrin ka me ta pa Kosova, ke me kthy Serbinë në Kosovë”. “Atëherë shumë pak njerëz e kanë besuar këtë deklaratë. Sot ende pa i bërë një vit qeverisje, bendi çetnik e fashist Riblja Corba, po na këndojnë në mes të Kosovës këngë me tekste ‘Kosova është serbi’”.
Deputetja ka shpjeguar edhe se si ligji e rregullon ndalimin e përdorimit të gjuhës që nxitë urrejtje. “Veç duhet me e pas një kryeministër dhe një Qeveri që e zbaton Ligjin”.
Por, deri më tani, nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur ndonjë koment për koncertin në Leposaviç dhe lejimin e “Riblja Corba” në Kosovë.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Albanianpost.com”