Vendosni fjalën kyçe....

Pampuri: Shtyrja e vitit shkollor dëshmon se Ministria e Ç’Arsimit ka dështuar


Shtyrja e vitit shkollor me dy javë nga Ministria e Arsimit, i cili do të nisë më 27 shtator ka sjellë reagimin e demokrates Oriola Pampuri. Ajo e quan “Ministria e Ç’Arsimit” atë që sipas saj ka dështuar.

“Shtyrja e vitit shkollor dëshmon se Ministria e Ç’arsimit ka dështuar me mësimin online dhe mësuesit ndihmës për familjet me fëmijët me aftësi te kufizuar.

Boshllëqet nga dështimi i mësimit online dhe mangësitë në mësues ndihmës nuk mund të zgjidhen duke shtyrë datën e nisjes së procesit mësimor, e cila ne vetvete nuk bën gjë tjetër veçse krijon hendeqe të tjera për nxënesit, sa i përket njohurive për vitin e ardhshëm mësimor. I gjithë ky çorganizim vjen pikërisht nga paaftësia për të menaxhuar situatën përballë pandemisë, si me mësimin online, ashtu edhe me mësuesit ndihmës.”, shkruan Pampuri.

Sipas saj detyra e qeverisë ishte të bënte mësim plotësues gjatë verës, kur infektimet ishin të pakta.

“Ndërsa shtyrja e tanishme e mësimit do të ketë efekte zinxhir për mësimdhënien, për familjet, në kushtet e rritjes së kurbës së infektimeve në vjeshtë. Asnjë mësim nuk nxorën nga viti i shkuar, përkundrazi, vijojnë të veprojnë pa plan, duke lënë në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit.”, përfundon demokratja.