Vendosni fjalën kyçe....

Tatimet trefishojnë rimbursimet e TVSH-së për 7 mujorin


Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve autorizoi për rimbursim TVSH-je gjatë 7-mujorit 2021 rreth 16 miliardë lekë ose 135 milionë euro.

Kjo shumë ishte shumë më e lartë se fakti i vitit 2020 (184 %) më shumë, ose gati tre herë më e lartë, por edhe shumë më e lartë se plani i periudhës.

Ministria e Financave njoftoi se gjatë janar-korrik rimbursimi i TVSH ishte 5 miliardë lekë ose 45 për qind më e lartë se plani i periudhës. Gjithashtu ky tregues ishte edhe 65 për qind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit normal, 2019.

Rimbursimet e larta të TVSH po vijnë si rrjedhojë e arkëtimeve më të larta të tatimit. Për periudhën 7-mujore të ardhurat nga TVSH në import ishin 68.3 miliardë lekë odr14.3 miliardë lekë ose 26.4% më shumë se një vit më parë, si dhe 4.9 miliardë ose 7.8% më shumë se plani për 7 mujorin 2021.

Sipas Ministrisë Financave ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar për shkak të zhdoganimeve me çmime dhe sasi më të larta karburanteve, automjeteve të përdorura, metaleve bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile, dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +6.9 miliardë lekë.

TVSH e arkëtuar nga tatimet (bruto), u realizua në masën 31.7 miliardë lekë, 7.2 miliardë ose 29.1% më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 2.8 miliardë ose 9.6% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit.

Siç shihet nga të dhënat tatimet kanë dhënë për rimbursim një pjesë te të ardhurave nga TVSH që janë grumbulluar më shumë se plani.

Rimbursimet e larta kanë shuar detyrimet e prapambetura në këtë zë. Në fund të vitit 2020 Ministria e Financave raportoi 9,7 miliardë lekë detyrime të prapambetura në zërin “Nga rimbursimi i TVSH”-së. Deri në muajin mars 2021 këto detyrime u përgjysmuan dhe tani pothuajse janë shuar të gjitha.

Shlyerjet e larta e kanë ndikuar pozitivisht detyrimet e prapambetura, ku historikisht TVSH e parimbursuar kishte rreth 30 % të peshës.

Në fund të tremujorit të dytë u bë likuidimi total për tatimpaguesin Trans Adriatic Pipeline AG Albania, i cili ka patur pjesën më të madhe të stokut të rimbursimit të TVSH-ë gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, kërkesat e tjera u rimbursuan të gjitha duke mos krijuar stok në fund të këtij tremujori.

Detyrimet e larta në rimbursimin e TVSH-se u krijuan nga investimet në projektet e mëdha, kryesisht në gazsjellësin TAP dhe investimet në HEC-et mbi lumin Devoll. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nënshkruar një marrëveshje me kompanitë e mëdha të investimeve për të paguar me këste, borxhin e akumuluar ndaj tyre.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor