Gjykata e Apelit në Shkodër e ka dënuar me 14 vite burg shtetasin Rinard Tota, i njohur edhe si Frederik Tota, i arrestuar nga Policia e Shtetit si kreu i një grupi që menaxhonte veprimtarinë e prostitucionit në qytetin e Shkodrës.
Tota u arrestua në vitin 2018 për shfrytëzimin prostitucioni.
Gjatë seancës së djeshme, Apeli ndryshoi vendimin për kushëririn e Totës, Kastriot Musa, duke e dënuar me 7 vite burg, nga 5 vite që e kishte dënuar Gjykata e Shkallës së Parë, dënim të cilin e ka kryer edhe për shkak të periudhës së paraburgimit.
Ndërkohë, shtetasja Sonila Mehja, 36 vjeçe, gjithashtu e arrestuar në kuadër të operacionit “Balerinat”, është dënuar me 8 vite burg nga 9 vite që u dënua nga një shkallë më poshtë e gjyqësorit.
Në ndryshim Gjykata e Shkallës së Parë, e cila vendosi që lokali 3 katesh në lagjen “Xhabiej” në Shkodër ku është ushtruar prostitucioni t’i kthehet 54-vjeçarit Frederik Tota, Gjykata e Apelit vendosi që kati i dytë dhe i tretë i kësaj ndërtese t’i kalojë si pasuri shtetit shqiptar, pasi dyshohet se këto dy kate janë ndërtuar përmes veprimtarive të paligjshme.
Frederik Tota u arrestua më 18 nëntor të vitit 2017 në kuadër të operacionit “Balerinat”, i cilësuar si kreu i grupit kriminal. Gjatë operacionit, 7 persona përfunduan në pranga duke u dënuar me burg vetëm tre prej tyre.
Në atë periudhë u sekuestrua edhe ndërtesa, dy automjete tip “Benz” dhe “Land-Rover” në pronësi të 54- vjeçarit, një armë zjarri pistoletë, shtatë ora dore dhe një sasi e konsiderueshme bizhuterish floriri të ndryshme. Gjithashtu u sekuestrua edhe një “Laptop” dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme si dhe një sasi parash të fituara nga ky aktivitet kriminal në prerje të ndryshme lek, euro, dollarë etj.