Vendosni fjalën kyçe....

“Më jepni me armë të luftoj talibanët” – Djali i komandantit të shquar muxhahedin në gjurmët e të atit


Ahmad Massoud, babai i të cilit ishte një figurë kryesore në kryengritjen anti-sovjetike të mbështetur nga SHBA në Afganistan, dëshiron nga Uashingtoni atë që kishte babai i tij, armë për një luftë kundër talibanëve.

Ai shkroi një editorial në ‘The Washington Post’, duke kërkuar nga SHBA-ja ndihma në armatime për të nisur rezstencën.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë larguar nga fusha e betejës, por Amerika ende mund të jetë një ‘arsenal i madh i demokracisë’”, siç tha Franklin D. Roosevelt kur u erdhi në ndihmë britanikëve të rrethuar para hyrjes së SHBA në Luftën e Dytë Botërore,” shkroi Masoud.

Ai u kërkoi ‘miqve të Afganistanit në Perëndim’ të ndërmjetësojnë në emër të tij në Uashington, Nju Jork, Londër dhe Paris. Ai u zotua se ‘luftëtarët muxhahedinë dhe unë’ do të kemi vendosmërinë për të luftuar talibanët për të drejtat e grave dhe shtypin e lirë në Afganistan, si dhe për të mbrojtur Perëndimin nga sulmet terroriste.

“Por ne kemi nevojë për më shumë armë, më shumë municion dhe më shumë furnizime.”

Massoud, është djali dhe trashëgimtari i Ahmad Shah Massoud. Ai ishte një udhëheqës i shquar në lëvizjen muxhahedine origjinale, kryengritjen islamike që luftonte qeverinë komuniste të Afganistanit dhe trupat sovjetike që po e mbështesnin atë në vitet 1980.

Forca e Shah Massoud ishte një nga lojtarët kryesorë gjatë luftës civile që pasoi tërheqjen e trupave sovjetike. Ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes nën Presidentin Burhanuddin Rabbani, qeveria e të cilit u dëbua nga Kabuli në 1996 nga fraksioni më radikal dhe më i suksesshëm i muxhahidëve, talibanët.

Ai gjithashtu udhëhoqi një rezistencë të armatosur kundër talibanëve në provincën veriore Panjshir dhe u vra nga atentatorë kamikazë ditë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Aleanca Veriore që dikur komandoi Shah Massoud u bë një aleat kyç i SHBA gjatë pushtimit të Afganistanit. Presidenti Hamid Karzai, pasardhësi i Rabbani i mbështetur nga SHBA, e nderoi komandantin muxhahidinë duke e quajtur atë një hero kombëtar të Afganistanit.

Djali i kryekomandantit të nderuar, i cili u quajt ‘Luani i Panjshir’ nga admiruesit, po kanalizon trashëgiminë e babait të tij në një përpjekje për të rikrijuar ditët e lavdishme të Rezistencës së Panjshir.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani