Vendosni fjalën kyçe....

Si munden fondamentalistët


Nga Edon Qesari

Të papërmbajtshëm dhe të pathyeshëm sa ç’mund të duken – përjashtuar rastet kur gjenden në front kundërshtar ndaj një mbifuqie ushtarake dhe teknologjike si SHBA-të – talebanët apo grupet para-ushtarake të të njëjtin soj e kanë një thembër Akili të dukshme: ata janë të paaftë t’i bëjnë ballë një lëvizjeje e cila është e mbrujtur me ide, me shpirt, e me frymë emancipimi gjithë-shoqëror, që çlirimin nuk e sheh vetëm si mundësi për të ndërruar kasta drejtuese – ku ato të sapoardhurat e tregojnë veten më të krimbura dhe të korruptueshme se të vjetrat – por dhe si një detyrim për të ndërtuar një të ardhme të re, me kulturë të re qeverisjeje dhe filozofi të re bashkëjetese kolektive.

Shembull i përsosur është mënyra se si, për vite me radhë, partizanët kurdë të brigadave marksiste YPG (njësi të mbrojtjes popullore) dhe veçanërisht ato të formuara ekskluzivisht nga gra, YPJ (njësi të mbrojtes së grave), luftuan dhe ngadhënjyen ndaj milicive fondamentaliste të ISIS-it, talebanë në shpirt e në mënyra, në Siri; dhe mandej arritën jo vetëm të zhduknin çfarëdolloj gjurme të pranisë së isisianëve në territorin e tyre, por edhe të ndërtonin, në mënyrën më funksionale të mundshme, një qeverisje të mbështetur mbi politika të demokracisë së drejtpërdrejtë, shekullarizmit dhe tolerancës ndërfetare, socializmit, decentralizmit lokal, multikulturalizmit etnik dhe barazisë gjinore.

Që nga viti 2012 e ende sot, Rojava (siç quhet kjo zonë autonome në veri-lindje të Sirisë, e populluar nga një larushi identitetesh fetare dhe etnike), është shembulli më i qartë i mënyrës se si një luftë për emancipim shoqëror, ekonomik, kulturor dhe gjinor mund të marrë përmasat e çlirimit nga vargonjtë dhe dhuna e sivellëzërve të atyre që sot, në Afganistan, duken të papërballueshëm, e para të cilëve shpërbëhet ushtria dhe ia mbath rinia.

Kurdët e Rojavës arritën aty ku arritën, sigurisht, edhe në sajë të ndihmave që u erdhën nga jashtë, veçanërisht nga amerikanët, por gjithashtu nga mbështetja e shumë organizatave pro-kurde dhe majtiste në Evropë (në radhët e YPG/YPJ janë dhe shumë vullnetarë ndërkombëtarë). E duhet thënë gjithashtu se, duke nisur nga viti 2016, kur amerikanët vendosën të tërhiqen, duke ia lënë terrenin ndërhyrjes ushtarake të një supërfuqie rajonale si Turqia – që siç dihet nuk ushqen ndjenja dashamirësie ndaj përpjekjeve kurde për autonomi dhe separatizëm, – fati i Rojavës ka marrë të tatëpjetën. E megjithatë, shembulli i një qëndrese të tillë qendron i patundur.

E kjo histori e shkurtër lavdie dhe heroizmi përballë hordhive fondamentaliste është tregues i një përvoje të shkëlqyer se si luftohen talebanizmat, madje edhe atje ku këto të fundit duken të rrënjosura e të pamundura për t’u fashitur në botëkuptimin lokal të popujve. Ndërgjegjësimi dhe idetë, besimi i patundur në këto të fundit – përpos solidaritetit – duket se janë kryefjalët fituese.