Pesë persona janë arrestuar në Lezhë pasi akuzohen për shitje lëndësh narkotike. Sipas policisë, aksioni është kryer në Tale dhe në pranga kanë rënë Altin Biçaku, Fatmir Suti, Ervistjan Gjergji, Bongjov Korriku e Arsid Stojani, të gjithë banues në Laç.
Gjatë kontrollit në mjetin me të cilin udhëtonin, u gjetën një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza dhe e paketuar gati për shitje.
Gjatë marrjes në pyetje, një nga të arrestuarit Fatmir Suti ka provuar të arratiset duke u hedhur nga dritarja e drejtorisë së Policisë së Lezhës po është kapur. Ai është çuar në Spitaline Traumës ku është jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi Lezhë
“Strukturat e Policisë në DVP Lezhë dhe të Komisariateve në varësi, në bashkëpunim me FNSh Shkodër, në vijim të punës së pandërprerë dhe kontrolleve intensive me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas që qarkullonin në një automjet kishin lëndë narkotike të ndarë në doza gati për ta shitur, kanë organizuar punën dhe në fshatin Tale, Lezhë, kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin Altin Biçaku dhe pasagjerë shtetasit Fatmir Suti, Ervistjan Gjergji, Bongjov Korriku dhe Arsid Stojani është gjetur një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje dhe një peshore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 5 aparate celular. Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, bënë arrestimin në flagrancë shtetasve: Fatmir Suti, 29 vjeç, Ervistjan Gjergji 23 vjeç, Altin Biçaku, 29 vjeç, Bongjov Korriku 21 vjeç dhe Arsid Stojani 23 vjeç, të gjithë banues në Kurbin.
Gjatë kryerjes veprimeve hetimore në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, shtetasi Fatmir Suti ka tentuar të largohet duke u hedhur nga dritarja, ku për pasojë ka marrë dëmtime dhe është dërguar në spitalin e Traumës, Tiranë, pa probleme për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.