Vendosni fjalën kyçe....

Kryebashkiaku i Kabulit shpjegon rënien e shpejtë të vendit në duart e talibanëve: Më telefonuan e më thanë të vijoja detyrën


“Talibanët më thirrën dhe më njoftuan se duhet të vazhdoja punën time,” tha kryebashkiaku i kryeqytetit të Afganistanit për RT.

Kryebashkiaku i Kabulit do të mbetet në detyrë nën talebanët, tha ai për RT, duke shpjeguar se si grupi fundamentalist islamik ishte në gjendje të rimarrë aq lehtë vendin dhe çfarë do të ndodhë tani me gratë e vendit.

Talibanët sapo kishin shtënë në dorë kryeqytetin Kabul kur kryebashkiaku Mohammad Daoud Sultanzoy mori një telefonatë që e informonte se ai duhet të vazhdonte punën e tij, tha politikani për RT në një intervistë të premten.

Duke vërejtur se gjërat po ‘ktheheshin shpejt në normalitet’ – përveç tranzitit brenda dhe jashtë Afganistanit – Sultanzoy vuri në dukje se nëse vendi dëshiron të jetë pjesë e bashkësisë ndërkombëtare në të ardhmen, nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të vepronte në mënyrë pragmatike.

“Të dyja palët duhet të kuptojnë realitetin,” tha Sultanzoy, duke shpjeguar se gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm në 20 vitet e fundit dhe se të dyja palët duhet të kenë në mendje ‘mençurinë, këmbënguljen dhe interesin kombëtar’.

Talibanët morën me shpejtësi kontrollin e Afganistanit gjatë fundjavës, duke befasuar administratën Biden me shpejtësinë e rrjedhjes së ngjarjeve. Edhe pse ata këmbëngulën se gjithçka ishte nën kontroll dhe nuk do të kishte asnjë ‘moment Saigon’ – duke iu referuar fotografisë ikonike të evakuuarve të kapur pas një helikopteri kur ai u ngrit nga një çati në kryeqytetin e Vietnamit të Jugut – refugjatët e mundshëm po vërshonin drejt Aeroportit Ndërkombëtar ‘Hamid Karzai’ në Kabul. Deri të dielën, vendi u quajt Emirati Islamik i Afganistanit dhe ishte vendosur fort në duart e talibanëve.

Mungesa relative e dhunës gjithashtu befasoi disa. Sultanzoy shpjegoi se midis mbështetjes së përhapur për talibanët, një pakënaqësi themelore për mënyrën se si u menaxhua largimi i amerikanëve, komanda dhe kontrolli jo koherent në nivelet më të larta të qeverisë afgane dhe pakënaqësia midis gradave ushtarake kontribuoi në mosgatishmërinë për të luftuar, duke i çuar ushtarët afganë në të lëshojnë armët e tyre në vend që të luftojnë dhe vdesin për ‘diçka të panjohur’.

“Gjithçka u përcaktua rreth individëve dhe jo sistemeve, prandaj motivimi për të luftuar për një person ose persona nuk ishte i mjaftueshëm,” shpjegoi ai.

Rrugët dhe kufijtë brenda dhe jashtë Afganistanit pritet të hapen javën e ardhshme dhe tregjet do të kthehen në normalitet – të paktën, ‘kjo është pritshmëria’, tha Sultanzoy.

“Do të jetë një provë e re për kombin, të dalë si një komb më i vendosur, si një komb i mençur, si një komb që dëshiron të lërë mënjanë të gjitha përleshjet dhe gjakderdhjet dhe kaosin që ka ndodhur për dekada – ne duhet t’i lëmë të gjitha ato gjëra mënjanë. Nga lidershipi do të varet se si do të fitojnë besimin”. – theksoi ai.

Ish-Presidenti Ashraf Ghani u largua nga Afganistani me rënien e Kabulit, duke lënë zv.presidentin e parë Amrullah Saleh që të shpallej president i përkohshëm të martën – një pozicion që nuk ka gjasa të ketë ndonjë fuqi të vërtetë duke pasur parasysh kontrollin e talibanëve mbi të gjitha qytetet kryesore të vendit, pikat kufitare dhe infrastrukturën kryesore.

Të mërkurën, bashkëthemeluesi i talebanëve Mullah Abdul Ghani Baradar u mirëprit përsëri në qytetin themelues të grupit, Kandahar dhe një zëdhënës i talibanëve deklaroi të martën se SHBA-ja duhet të largojë të gjithë trupat e saj – përfshirë mijëra ushtarë që ndodhen në aeroportin e Kabulit për të ndihmuar në evakuimin e aleatëve të bllokuar të Uashingtonit – deri më 11 shtator.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani