Thuajse tre javë nga hapja e garës për Aeroportin e Sarandës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka publikuar draft-kontratën për koncesionin, në të cilën përcakton termat që do të vendosen mes dy palëve, shtetit dhe investitorit.
Pjesa më e ndjeshme që lidhet me tarifat në draftkontratë përcaktohet në një pikë të veçantë. E para është tarifa koncesionare ku saktësohet se investitori do të detyrohet t’i paguajë shtetit 2 për qind të të ardhurave vjetore bruto nga viti i parë i operimit.
“Koncesionari do t’i paguajë Autoritetit Kontraktues një kompensim monetar për kalimin e të drejtave të Projektit në formën e një tarife koncesionare vjetore të barabartë me dy përqind (2%) të të Ardhurave Bruto vjetore, duke filluar nga Data e Operimit (“Tarifa Koncesionare”). Tarifa Koncesionare paguhet nga Koncesionari brenda datës 15 maj të vitit pasardhës për çdo vit, në përputhje me rregullat e caktuara nga ministria përgjegjëse për financat për arkëtimin e të ardhurave për llogari të buxhetit të Shtetit Shqiptar” thuhet në dokument.
Nga ana tjetër i njëjti përcakton edhe mënyrën sesi do të veprohet për tarifat e përgjithshme që aeroporti do të aplikojë ndaj kompanive që do të operojnë brenda aeroportit.
“Koncesionari përcakton Tarifat për Shërbimet Aeroportuale dhe për Shërbimet Tregtare që do të zbatohen pas Datës së Operimit përgjatë Afatit të Kontratës në mënyrë jodiskriminuese dhe në përputhje me Legjislacionin e Zbatueshëm, Praktikën e Mirë të Industrisë. Koncesionari do të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues përpara vendosjes së Tarifave për Shërbimet Aeroportuale. Përgjatë Periudhës së Garancisë, Koncesionari do të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues përpara vendosjes së Tarifave për Shërbimet Tregtare” thuhet në draft.
Tarifat si për shërbimet aeroportuale edhe për shërbimet tregtare janë theksuar se duhet të respektojnë kuadrin ligjor shqiptar dhe të huaj të harmonizuar si dhe të jenë të bazuara në vlerat e tregut.
Koncesioni për Aeroportin e Sarandës, të katërtin në vend nëse arrin të realizohet u njoftua pak javë më parë nga përfaqësues të qeverisë. Aeroporti do të jetë i kategorisë 3C me pistë 2200 metra dhe vlera minimale e hapjes së garës është vlerësuar në rreth 37 milionë euro.
Pritshëmëritë sipas dokumenteve janë që në vitin e parë të operimit numri i pasagjereve të jetë 150 mijë dhe sipas studimit të konsolidohet në mbi 1 milionë maksimalisht në vit.
Aeroporti i Sarandës do të jetë një aeroport sezonal. Shqipëria ka aktualisht në funksion dy aeroporte, atë të Tiranës dhe Kukësit ndërkohë që është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor