Një video publikuar ditën e djeshme nga gazetarja Anila Hoxha tregonte se si një dasmor qëllonte nga makina me kallashnikov.
Policia ka zbuluar se kush është ai dhe e ka shpallur në kërkim. Ai quhet Klajdi Tafaj dhe banon në Kurbin. Tafaj ishte duke martuar kushëririn e tij.
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqej një shtetas duke qëlluar me armë zjarri nga një automjet në ecje, në aksin rrugor Laç-Mamurras, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.
Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale.
Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi M. T., 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë, Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klajdi Tafaj, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.”, jep detaje policia duke publikuar edhe foton e kallashnikovit të kapur.