Vendosni fjalën kyçe....

Dita e përkujtimit të viktimave, Basha: Të reflektojmë për të mos lejuar autoritarizmin të na ndajë nga Europa dhe Perëndimi


Në ditën europiane të përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, kreu i Partisë Demokratike bën thirrje për të reflektuar, me qëllim që sipas tij të mos lejojmë formë autoritarizmi të na ndajë nga Europa, Perëndimi dhe liria.

Basha mendon se këtë plagë Shqipëria nuk e ka tejkaluand ende.

“Kujtesa dhe nderimi për viktimat e regjimit më çnjerëzor në Europë, që mohoi liritë dhe të drejtat, dinjitetin njerëzor dhe besimin në Zot, duhet të shkojë krah për krah me vetëdijen se shumë mbetet për t’u bërë, që xhelatët të mbeten në atë krah të historisë që Europa mbarë u ka caktuar regjimeve gjakatare. Sepse ai krah nuk ka qenë kurrë i duhuri dhe këtë e konfirmojnë 34,135 shqiptarët e burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi, 7,022 prej të cilëve vdiqën prej trajtimit shatazarak, 984 të vdekur në burgjet e regjimit dhe 6,027 burra dhe gra, djem dhe vajza të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.”, shkruan Basha.

Shqiptarët, mendon Basha kanë më shumë viktima se shumë kombe në botën demokratike për të përkujtuar.

“Ndaj ju ftoj të kujtojmë, të nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave që na shkaktoi diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe të reflektojmë. Të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime e forcë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi dhe nga liria.”, përfundon kryedemokrati.