Vendosni fjalën kyçe....

Qëndisi flamurin, kujtohet nga arkivat Marigo Pozio


Marigo Pozio, vajza që qëndisi flamurin kombëtar është kujtuar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pasi më 23 gusht është edhe dita e ndarjes së saj nga jeta, në vitin 1932.

“Marigo Pozio (mbiemri i vajzërisë Poçi), lindi në Hoçisht të Korçës më 1878 dhe u vendos në Vlorë më 1904. Punoi për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mbështeti shkollat shqipe të kohës. Ishte anëtare e klubit “Labëria” dhe aktiviste e gjallë, duke kontribuar edhe në organizimin e orkestrës së klubit. Më 1914 organizoi shoqërinë e parë të grave në qytetin e Vlorës, të cilën e riorganizoi më 1921 nën emrin “Shpresa Kombëtare”, duke nxjerrë dhe drejtuar gazetën me të njëjtën emër. Pavarësisht burimeve të ndryshme lidhur me rolin e Marigo Pozios në përgatitjen e flamurit që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë, asaj i atribuohet merita e qëndisjes së atij flamuri të parë. Qëndisjen e flamujve me shkabën dykrenore e vijoi edhe më pas, duke marrë dhe emrin “Zonja e flamurëve”.”, sjell përmbledhtazi Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Bashkë me këtë informacion publikohet edhe një foto bardhezi e saj.