Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka njoftuar se ka fituar gjyqain e parë ndaj kompanisë Albchrome.
Në një njoftim në faqen zyrtare të sindikatës të Facebook thuhet se pas një sulmi të pazakontë nga ana e kompanisë pas vendimit për shpalljen e themelimit të SMBB-së, Albchrome ka pushuar nga puna kreun e sindikatës, Elton Debreshi si dhe tre anëtarët e këshillit drejtues, Beqir Duriçin, Behar Gjimin e Ali Gjetën.
Në njoftim thuhet se pas kësaj ata i janë drejtuar gjykatës e pavarësisht zbarritjeve, presioneve e ndërhyerjeve nga kompania, gjykata e ka dhënë vendimin për njërin nga proceset.
Në përfundim gjykata ka vendosur të detyrojë kompaninë Albchrome që të dëmshpërblejë minatorin Beqir Duriçi për pushimin nga puna. Sindikata shton se kompania e ka çuar çështjen në Apel por ata theksojnë se do i shkojnë deri në fund procesit.
Njoftimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës
“KEMI FITUAR GJYQIN E PARË TË PUNËS NDAJ KOMPANISË ALBCHROME
Këtë vjeshtë bëhen dy vjet nga themelimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës nga vetë ne minatorët e nëntokës. Njëkohësisht po bëhen gati dy vjet nga sulmi i pazakontë që kompania Albchrome i bëri sindikatës sonë. Vetëm 5 ditë nga shpallja në qendër të Bulqizës, u pushua në mënyrë të paligjshme Elton Debreshi, kryetari i SMBB-së.
Grevës së minatorëve, Albchrome iu përgjigj duke e thelluar paligjshmërinë dhe padrejtësinë: pushoi nga puna tre anëtarë të këshillit sindikal – Beqir Duriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën – dhe kërcënoi dhjetëra minatorë. Pushimet e paligjshme nga puna i kemi paditur në gjykatë, ku kemi kërkuar dëmshpërblim, po ashtu edhe te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Pas shumë zvarritjeve nga gjykatat, presioneve e ndërhyrjeve nga kompania, njëri prej proceseve gjyqësore ka përfunduar. BEQIR DURIÇI KA FITUAR GJYQIN E SHKALLËS SË PARË DHE DUHET TË DËMSHPËRBLEHET NGA ALBCHROME. Kompania e ka çuar çështjen në apel, por ne do i shkojmë deri në fund të drejtës sonë, qoftë edhe në gjykatat ndërkombëtare. Falenderojmë avokaten Erjola Lami për përfaqësimin, si dhe gjithë avokatët e tjerë që na kanë ndihmuar e vazhdojnë t’na ndihmojnë.”