Ambasada ruse në Tiranë i është përgjigjur thirrjes së ambasadës amerikane për lirimin e Aleksej Navalnit. Në deklaratën e saj në Facebook, ambasada amerikane shkruante se lideri i opozitës ruse Navalni ishte hemuar në Rusi e pas shërimit ishte kthyer sërish aty, ku është arrestuar.
Në përgjigjen e saj, ambasada ruse në Tiranë bën me dije se Navalni nuk është aspak lider i opozitës ruse dhe nuk përfaqëson asnjë parti serioze politike në vend. Po kështu në reagim thuhet se Navalni njihet si person që shëtit gjyqeve duke e pasur këtë një formë përfitimi.
Në vijim të deklaratës ambasada me ruse vëren se Aleksej Navalni dhe vëllai i tij Oleg, janë dënuar në Rusi për mashtrim në vitin 2014 për çështjen ‘Yves Rocher’. Sipas ambasadës, ndalimi i Aleksej Navalnit në janar 2021 pas kthimit në vend u bë pasi ka thyer masën e dhënë nga gjykata për çështjen gjyqësore në fjalë.
Në fund të reagimit ambasasa ruse thekson se në mbështetjen e hapur që i jepet Navalnit nga SHBA e vendet e tjera perëndimore po përdoren gënjeshtra të hapura e provokime të organizuara. Po kështu ajo vëren se presioni ndaj Rusisë është i kotë dhe se përgjigja e saj do jetë përherë e rreptë por e përshtatshme.
Reagimi i ambasadës ruse në Tiranë
“PËR ÇËSHTJEN E A.NAVALNIT
Në lidhje me informacionin, e postuar në faqen “Facebook” të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë më datë 23 gusht të këtij viti, për blogerin rus Aleksej Navalni dhe thirrjen në adresë të qeverisë ruse për të liruar menjëherë të ashtuquajturin “luftëtarin e lirisë” nga burgu, do të donim të përcillnim për publikun shqiptar sa më poshtë.
Blogeri Aleksej Navalni nuk është aspak lider i opozitës, nuk përfaqëson asnjë parti serioze politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë. Dëshira e pangopur e A.Navalnit për të shëtitur gjyqeve, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, quhet hapur prej tij formë përfitimi, rrogë. Dhёnia e vendimeve politike nga Gjykata në favor të tij është bërë si me konvejer.
Kujtojmë se më datë 30 dhjetor 2014 Gjykata Zamoskvoretski në Moskë, pasi shqyrtoi çështjen “Yves Rocher”, i shpalli vëllezërit Navalni fajtorë për mashtrim – krim i dënueshëm penalisht dhe dënoi me kusht Aleksej Navalnin për 3,5 vjet, ndërsa dënoi me 3,5 vjet burgim në koloni të regjimit të përgjithshëm vëllain e tij, Oleg Navalnin. Në janar të vitit 2021, pas kthimit nga Gjermania në Rusi, shtetasi rus A.Navalni u arrestua nga policia “për shkelje të shumta të afatit të provës” për të njëjtën çështje – “Yves Rocher”. Më datë 2 shkurt 2021 Gjykata Simonovski në Moskë ktheu dënimin me kusht në burgim (aktualisht ai shlyen dënimin në koloninë Pokrovskaja, rrethi i Vladimirit). Siç thuhet, «dura lex sed lex» …
Vendet e Perëndimit, përfshirë SHBA-të, vazhdojnë t’i japin A.Navalnit një mbështetje të pamatur para sё gjithash për të lëkundur dhe ndërlikuar situatën e brendshme politike në Rusi. Në vrullin e fushatës së nisur prej tyre, gënjeshtra të hapura po përdoren kundër autoriteteve ruse, përfshirë provokimin e organizuar nga shërbimet speciale perëndimore lidhur me helmimin e supozuar të Navalnit me lëndën e ashtuquajtur “Noviçok”. E gjithë kjo është për të ardhur keq dhe duket e pashpresë, dëshmon për paaftësinë e tyre për të hequr dorë nga harbutëria arrogante dhe mosdëshira për të pranuar realitetin, duke e ditur që më parë se është e kotë të ushtrosh presion mbi Rusinë, pasi përgjigja e saj, si gjithmonë, do të jetë e rreptё, por adekuate.”